EKONOMI

Norvegjezi i dënuar për mashtrim në PTK, pastron paratë në Shqipëri

Prokuroria e Tiranës ka zbuluar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të parave, kësaj radhe nga dy shtetas norvegjezë, të cilët zgjodhën Shqipërinë për të pastruar mbi 800 mijë euro, që dyshohen se janë krijuar nga skema mashtrimi.

Ove Johanson dhe Joo Borgen Nilsen, janë dy norvegjezët, të cilët tentuan që nëpërmjet hapjes së firmave fantazmë në Shqipëri dhe shitblerjes së aksioneve, të justifikonin qindra mijëra euro që i kanë siguruar nga aktiviteti kriminal.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shoqëria “Norwegian Golf Devlopment AS”, e regjistruar në Norvegji, ka shitur aksionet e saj në vendin tonë për një vlerë prej 2850 euro, raporton TopChannel.

Blerësi kryesor i këtyre aksioneve me 90 për qind është Ove Johanson. Dy muaj pas kësaj kontrate, Johanson i shet të bashkëpandehurit të tij Joo Borgen Nilsen 40 për qind të aksioneve të firmës për një vlerë prej 600 mijë euro.

Nga ana tjetër norvegjezi Nilsen, regjistroi shoqërinë me emrin “Asia Capital Group” me objekt veprimtarie, ndërtime, projektime dhe zbatime të projekteve ingjinierike.

Me anë të këtyre kamuflimeve norvegjezët sollën në vend disa llogari bankare nga Filipinet, vlera e të cilave është 600 mijë euro. Kjo shifër është sekuestruar nga prokuroria, e cila përveç transaksioneve të dyshimta të blerjes së aksioneve shumë lirë dhe shitjes me një vlerë 500 fish më të lartë, ka mbledhur informacion se dy norvegjezët janë të kërkuar dhe dënuar edhe në vende të tjera të rajonit.

Ove Johansen rezulton i dënuar në Kosovë për një mashtrim me 300 mijë euro.

Johansen, ish-menaxher i kompanisë “Norway Invest”, më 9 korrik 2010, ishte dënuar me kusht prej dy vjetësh dhe ishte urdhëruar të paguajë 300 mijë euro gjobë për dëmin shkaktuar Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Dënimi ishte marrë nga një panel gjykatësish të përzier, të përbërë nga një gjykatës kosovar dhe dy të EULEX-it.

Siç njoftonte asokohe EULEX-i, “dënimi me burgim do të aktivizohet vetëm në rast se ai kryen ndonjë vepër tjetër penale gjatë tre vjetëve të ardhshëm”, raporton Koha.net.

Johansen akuzohej se gjatë periudhës 2002-2003, në bashkëpunim me Leme Xhemën, Mustafë Nezirin, Roger Reynolds dhe Ronny Sorensen, me qëllim të përfitimit të paligjshëm material për veten e tij apo edhe për kompaninë “Norway Invest”, ka kontribuar qenësisht “në sjelljen kriminale të Leme Xhemes, e cila ka e keqpërdorur detyrën e saj zyrtare si drejtoreshë e përgjithshme e PTK-së, duke lëshuar në mënyrë të paligjshme urdhër-pagesën prej 300 mijë eurosh në llogarinë bankare të Kompanisë ‘Norway Invest’”.

Edhe Leme Xhema qe dënuar për këtë çështje me tre vjet burg në vitin 2008.

Ndërsa Joo Borgen Nilsen rezulton pjesë e skemave piramidale në Norvegji e njohur si Unaico.

Të dy të pandehurit norvegjezë janë dërguar së fundmi për gjykim në mungesë në gjykatën e Tiranës, pasi janë larguar jashtë Shqipërisë.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483