SPORT

Nora Gjakova tregon si e kaloi bllokadën mentale

Nora Gjakova ka “lidhur” disa gara të pasuksesshme vitin e kaluar. Ajo dështoi të fitojë medalje në Botërorin e xhudos e më pas edhe në Grand Slam të Abu Dhabit dhe në Mastersin në Qingdao.

Njëra prej xhudisteve më të mira në vend ka pranuar se është përballur me “bllokadë mentale” pas dështimit për të fituar medalje, raporton Koha.net. Por tashmë e ka kaluar atë. Xhudistja elitare e kategorisë deri 57 kilogramë këtë vit ka fituar medalje në Grand Prix të Tel Avivit dhe Grand Slam të Parisit.

Garat e xhudos, si edhe të sporteve tjera, aktualisht janë të pezulluara. Xhudistët kosovarë janë në karantinë në Pejë, ku po i vazhdojnë stërvitjet larg kontaktit me të tjerët.

Në një intervistë për sajtin “JudoCrazy”, Nora ka treguar se si ia ka dalë të kthehet në rrugën e duhur. Ajo i takon elitës botërore në kategorinë deri 57 kilogramë.

“Pas dështimit për të fituar medalje në Botërorin e Tokios, isha vërtetë e dëshpëruar dhe kam pasur periudhë të vështirë për t’u kthyer në formë. Paraqitjen e zbehtë nuk kam mundur ta largojë nga koka. Me ndihmën e trajnerit dhe xhudistëve tjerë, ia kam dalë të tejkalojë këtë bllokadë mentale dhe me medaljet në Tel Aviv dhe Paris më është kthyer besimi. Nëse nuk do të shtyheshin, do të isha e gatshme për Lojërat Olimpike”, ka thënë Nora Gjakova.

Ajo ka treguar se synim primar për këtë vit është medalja në Evropian dhe Botëror, nëse ai do të organizohet pas shtyrjes së Lojërave Olimpike.

Nora ka theksuar se tani i mbetet të përshtatë fokusin që në korrik të vitit të ardhshëm, kur mbahen Lojërat e Tokios, të jetë në formën më të lartë. Ajo është pyetur edhe për Majlinda Kelmendin.

“Kelmendi më ka inspiruar shumë. Kur ishim më të reja ne ishim partnere të stërvitjes dhe për shumë kohë ishim të vetmet nga Kosova që kemi garuar në gara ndërkombëtare. Ne kemi luftuar dhe kemi ndihmuar njëra-tjetrën shumë gjatë viteve dhe kjo është shpaguar për të dyja”.

Gjatë karrierës Nora ka pasur shembull trajnerin Driton Kuka. Ajo vazhdon të admirojë mënyrën se si Kuka ua mëson xhudon nxënësve të tij. Nora po ashtu ka shijuar duke parë vëllain e saj, Akilin, duke u shndërruar në xhudist elitar. I pëlqen të shoh luftërat e tij që janë dinamike dhe eksplozive.

Nora ka treguar se synon edhe më shumë se që ka fituar deri më tani dhe se vazhdon të jetë shumë e motivuar. Dështimet i përjeton shumë rëndë.

“E urrej humbjen. Kur humbas përfundoj duke e urryer xhudon për disa javë. Dhe nëse kuptoj se nuk kam luftuar mirë sa kam mundur, frustrohem edhe më shumë”, ka treguar Nora Gjakova.

27-vjeçarja synon të qëndrojë gjatë në xhudo. Synon edhe dy edicione të Lojërave Olimpike, pra karrierë edhe të paktën prej pesë vjetësh.

Shfaq më shumë