Kosova

“Non papers’’ për kufijtë, kryediplomati gjerman: Pa vlerë, Gjermania s’është e përfshirë

“Non papers” mbajnë pikërisht emrin e duhur. “Non papers”, pra dokument jo zyrtar. Nuk kanë gjë tjetër veçse fjalë bosh dhe askush nuk duhet të merret seriozisht me to” Ky ishte reagimi i ministrit të Jashtëm gjerman Heiko Mass, lidhur me dokumentin jo zyrtar diplomatik që qarkulloi në Bruksel, për ndryshim të kufijve në Ballkanin Perëndimor sipas linjave etnike.

Mass përgënjeshtroi përfshirjen e Gjermanisë tek të ashtuquajturit “non-papers”.

“Nuk ka asnjë përfshirje të Gjermanisë në këto “non papers”. Nëse ka zëra që supozojnë të kundërtën janë, fake news. Politika e jashtme gjermane ka pasur gjithmonë parimin se kufijtë e Ballkanit Perëndimor nuk preken”, shtoi Mass.

Dokumenti u publikua fillimisht nga media sllovene, nën autorësinë e pretenduar të kryeministrit slloven Janez Jansa  e në adresë të presidentit të Këshillit Europian Charles Michell, si një propozim mbi trajtimin e problematikave në rajon pasi Sllovenia të marrë Presidencën e BE-së në korrik.

“Ne besojmë se çdo ripërcaktim i kufijve do të prekte të gjithë rajonin me pasoja të pakthyeshme në të gjitha nivelet. Ne nuk e duam këtë gjë dhe do ta refuzojmë gjithmonë”, shtoi Mass.

Edhe kryeministri Rama është përfshirë në debatin lidhur me çështjen e “non papers”, pasi gazeta austriake “Der Standard”, shkroi se ai u kishte thënë mediave shqiptare se e kishte parë “non papers” dhe hartën dhe se bashkë me Vuçiçin kishin qenë mbështetës të ripërcaktimit të kufijve sipas linjave etnike mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një reagim lidhur me shkrimin e datës 27 prill, kryeministri Rama e akuzon “Der Standard” si përhapëse të fake news.

“Nuk e kam thënë kurrë diçka të tillë lidhur me ‘non paper dhe hartën’ dhe nuk kam mbështetur kurrë ripërcaktim të kufijve sipas linjave etnike mes Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.