OPINION

Qeveria Kurti II

Shkruan: Naza KRASNIQI
Pas miratimit të kabinetit qeveritar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të gjithë ministrat u prezantuan si ministra të pastër dhe pa aktakuza, aferë, apo rast të dyshimtë. Kjo u prit nga qeveria “Kurti II”, sepse u votua bindshëm nga elektorati, duke besuar në funksionimin e shtetit ligjor, respektim të demokracisë, zero tolerancë ndaj korrupsionit, ndaj keqpërdorimit detyrës zyrtare dhe jo ministra me aktakuza të ngritura.

Këto standarde i krijoi vetë Vetëvendosja, por me ardhjen e qeverisë si në javën e parë u përfol për ministrin e Mbrojtjes për veprime të pasjellshme ndaj disa fëmijëve dhe se i njëjti u prezantua, se në Norvegji ishte si epror ushtarak. Sipas disa informacioneve po del e kundërta, ministri i ri i mbrojtjes Armend Mehaj nuk kishte qenë epror ushtarak pranë Ushtrisë Mbretërore të Norvegjisë, por pasi që e ka kryer obligimin ushtarak në Norvegji në vitin 1999, ai ka marrë pjesë si ushtar me pagë në misionet paqeruajtëse të trupave norvegjeze në Kosovë, Afganistan, Irak dhe Çad.

Përndryshe, një epror ushtarak aktiv i një vendi nuk i lejohet të punojë për një qeveri të një vendi tjetër, sepse aty e kap ligji i tradhtisë kombëtare. Përveç ministrit të Mbrojtës javën e parë u ngrit aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj ministrit të Ministrisë së infrastrukturës, pavarësisht se institucionet e drejtësisë nuk kryen obligimin e vet ligjor për njoftim me kohë, e vërteta është se ministri Infrastrukturës ka aktakuzë të ngritur.

 Pastaj emërimi i zëvendësministrit të Ministrisë së Financave i cili ishte i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, derisa po punonte si zëvendësministër në Ministrinë e atëhershme të Punës dhe Mirëqenies Sociale, po i njëjti ndoshta nga presioni i mediave, brenda disa ditëve kërkoj lirimin nga pozita e zëvendësministrit të MF, me disa arsyetime!

Deri me tani qeveria Kurti nuk ka asnjë reagim apo sqarim, duke i injoruar të gjithë, duke mos menduar se për çka kishin premtuar gjatë kohës sa ishin në opozitë. Folni çka të doni! unë i kam fituar mbi 50% të votuesve dhe nuk jap përgjegjësi.

Por, shqetësuese është se po bëhen tri jave dhe nuk po shohim, që janë marrë veprime bazuar në plan programin e fushatës, thjeshtë me vërejt se ndryshimi i premtuar ka filluar të praktikohet dhe qytetarët fillojnë të përjetojnë ndryshimet që janë duke i pritur.

Meqenëse ende është shumë herët ndoshta të flitet për punën e tyre, ama deri sa kanë filluar me shkarkime, emërime, iniciativa të ligjeve në procedura të shpejta, mbyllje të vendit për shkak mos planit të veprimit për menaxhimin e pandemisë, mendoj që është koha që të fillojnë të merrem me të ardhmen, e për keqpërdorim, korrupsion, shfrytëzim të pronës publike etj. që kanë ndodhur në  të kaluarën, janë institucionet dhe mekanizmat përgjegjës që duhet të merren varësisht nga pesha e veprës dhe të dënohet secili me dënime meritor.

Kryeministri duhet t‘i shqyrtojë dhe t‘i verifikojë këto dyshime për ministrat e kabinetit dhe të lirojë nga pozita e ministrit deri në pafajësinë e tyre nga institucionet përgjegjëse dhe të merret më shumë më të ardhmen.

Veprime të tilla priten nga qeveria që u votua mbi 50% , edhe pse ata ministra munden me qenë të pafajshëm, por respektoni standardet, që i jeni thirrur gjatë tërë kohës sa ishin në opozitë.

Ndërsa sa përket emërimit të këshilltarëve politikë, ato janë pozita politike dhe krejt në rregull që i emërojnë personat e besueshëm familjarë dhe nga vetë partia.