Life Style - Funny

Njerëzit që ndjekin shpesh aktivitetet kulturore, jetojnë më gjatë

Jo vetëm që është argëtuese të shikosh një shfaqje në teatër ose të shohësh ekspozitën e artistit tënd të preferuar! Është njëherësh edhe edukative! Por, a e dinit se të gjitha këto ju ndihmojnë që të jetoni më gjatë?

Një studim i kohëve të fundit nga universiteti College në Londër zbuloi se njerëzit që marrin pjesë shpesh në aktivitete kulturore kishin një rrezik 31% më të ulët të vdekjes në krahasim me ata që nuk shihnin asnjë aktivitet kulturor.

Ata që shkonin në kinema, teatër apo muze një ose dy herë në vit kishin një rrezik 14% më të ulët të vdisnin herët, sesa të tjerët.

Më shumë se gjashtë mijë e 700 të rritur mbi 50 vjeç në Angli morën pjesë në studim, megjithatë studiuesit vërejnë se duhen prova të mëtejshme për të kuptuar saktësisht se si teatri, opera apo ekspozitat mund të parandalojnë një vdekje të hershme.

Raporti tregoi se ata që kanë më shumë gjasa të përfitojnë nga përfshirja në arte ishin ata që kishin më pak të ngjarë ta bëjnë këtë: “40% e pacientëve me sëmundje të mushkërive, depresion ose vetmi raportuan se nuk u përfshinë kurrë tek artet, pavarësisht dëshmive të forta të përfitimeve të mundshme”.

Tani duhet të punohet për të siguruar që përfitimet shëndetësore të këtyre aktiviteteve janë të arritshme, ndaj duhet të praktikohen sa më shumë.

Shkencëtarët pranuan që faktorët e jashtëm të mundshëm si shëndeti mendor dhe fizik, dallimet konjitive, lëvizshmëria dhe angazhimi shoqëror mund të ndikojnë gjithashtu në rezultate.