Bota

Një tjetër diplomat amerikan dëshmon para Kongresit për rastin Trump

Diplomati amerikan, George Kent, do të dëshmojë në hetimet që po kryen Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, kundër presidentit amerikan, Donald Trump, një ditë pasi ish-këshilltarja e tij për Rusinë, Fiona Hill është thënë të ketë deklaruar për “keq bërjet” në politikën kundrejt Ukrainës.

Kent, që ka luftuar korrupsionin në Ukrainë dhe vende tjera, pritet të dëshmojë më 15 tetor në hetimet që kanë në fokus një bisedë telefonike të 25 korrikut në mes të Trumpit dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.

Gjatë bisedës, Trump i ka kërkuar Zelenskiyt të punojë me avokatin e tij personal, Rudy Giuliani dhe Prokurorin e Përgjithshëm, William Barr, në hetimet për ish nën-presidentin amerikan, Joe Biden dhe djalin e tij Hunter.

Dëshmia e tij vjen pasi Fiona Hill, ish-Drejtorja për Çështje Evropiane dhe Ruse në Këshillin për Siguri Kombëtare gjatë administratës së Trumpit, ka kaluar gjithë ditën në Uashington duke iu përgjigjur pyetjeve nëse Trump ka abuzuar me pushtetin gjatë bisedës që ka zhvilluar më 25 korrik.

CNN dhe New York Times, kanë cituar burime të tyre të kenë thënë se Hill ka dëshmuar për keqbërje të lidhura me politikën kundrejt Ukrainës.

Bazuar në burime, Hill ka dëshmuar se ish-Këshilltari për Siguri Kombëtare, John Bolton i ka cilësuar veprimet e kryera nga njerëzit rreth Trumpit sikurse ato të “marrëveshjeve për drogën”.

Mirëpo Trump në anën tjetër ka insistuar se nuk ka asgjë të gabueshme në bisedën telefonike me Zelenskiyn.

Në kohën kur është zhvilluar kjo bisedë, Trump pati pezulluar ndihmën ushtarake për Ukrainën në vlerë të 391 milionë dollarëve.

Përmes kësaj ndihme më herët, SHBA-ja ka synuar t’i ndihmojë Kievit që të luftojë separatistët e mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës.

Avokati i Trumpit ka pasur afat deri më 15 tetor për të dorëzuar dokumentet që ka kërkuar Kongresi, të cilat lidhen me Ukrainën.

Mirëpo asnjë anëtar i administratës së Trumpit, nuk ka treguar gatishmëri për të bashkëpunuar në hetime.

Më 16 tetor, Michael McKinley, i cili së fundmi ka dhënë dorëheqje nga pozita e këshilltarit të lartë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo ka thënë se do të marrë pjesë vullnetarisht në intervistim.

Hetimet e Dhomës së Përfaqësuesve mund të rezultojnë me gjykim në Senat rreth asaj nëse Trump duhet të largohet nga zyra e presidentit.

Sipas Kushtetutës amerikane, Dhoma e Përfaqësuesve ka fuqi për të shkarkuar presidentin për “shkelje të rënda dhe keq bërje”.

Kjo është hera e katërt në historinë amerikane që ka nisur një procedurë për shkarkim të presidentit, ndonëse asnjëri prej presidentëve nuk është larguar nga pozita përmes këtij procesi.