Kosova

Një shtetas nga Shqipëria thotë të jetë rrahur nga pronari i firmës ku punonte

Agim Biba nga Shqipëria, i cili për më shumë se një vit po jeton në Kosovë, thotë se të hënën është rrahur nga Faik Ismaili, pronar i kompanisë ndërtimore “Bini Vini” nga Zabërgja e Klinës, raporton KTV.

Biba thotë se është munduar ta kontaktojë pronarin, për t’i treguar se do të vonohej për në punë për arsye familjare, por sipas tij, pronari nuk ia ka hapur telefonin. Ndërsa kur janë takuar, pas një fjalosjeje, Biba thotë se i ka kërkuar edhe paratë për javën e fundit që kishte punuar, pasi do ta linte punën.

E pastaj thotë se pronari e ka rrahur atë. Biba ka marrë trajtim mjekësor në QKUK dhe ka lëndime në brinjë, në fytyrë dhe në kyçet e duarve. Biba ankohet se pa të drejtë Policia e Kosovës ia ka marrë pasaportën e Shqipërisë dhe prej të hënës nuk ia ka kthyer më. Por, sipas Policisë, ky person dyshohet se është duke qëndruar pa leje në Kosovë. Agim Biba, sipas PK-së, do të dëbohej për në Shqipëri por meqë i ka ndodhur ky incident, Drejtoria për Migrim dhe të huaj ka marrë vendim që rasti fillimisht të trajtohet.

Përfaqësuesit e kompanisë në Klinë nuk kanë pranuar të flasin para kamerës për rastin. Nëpërmjet telefonit, kanë thënë se nuk e dinë arsyen e rrahjes së Agim Bibës, duke shtuar se e kanë paguar gjithashtu për kohën sa ka punuar aty.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.