Kosova

Një parti e re mund t’i shtohet skenës politike kosovare, cili mund të jetë ndikimi i saj?

Formimi i një partie të re, si një alternativë ndaj shumicës së subjekteve politike, entitete këto të cilat nga qytetarët bëhen përgjegjëse për gjendjen aktuale të rëndë në të cilën ndodhet vendi, është vlerësuar në mënyra të ndryshme nga analistë politikë dhe segmente të shoqërisë civile. Disa konsiderojnë se skenës politike i duhet një bllok i ri politik, ndërsa të tjerët, duke u mbështetur në përvojën e deritanishme, thonë se; çdo përpjekje e individëve të cilët shkëputen nga subjektet e vjetra, me synim për të formuar të reja, do të rezultojë e pasuksesshme – shkruan Kosova.info

E një paralajmërim i tillë ka ardhur nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haxhi Abdyli. Ai ka deklaruar se bashkë me Kryeparlamentaren Vjosa Osmani, mund të krijojnë një parti të re, pas pakënaqësive të krijuara me krerët e subjektit, pjesë e të cilit aktualisht edhe janë.

“Të gjitha mundësitë janë të hapura dhe me kohë opinioni do të njoftohet. Nuk hiqet mundësia që të krijohet një organizim i ri”, është shprehur Avdyli.

Megjithatë, kjo sipas tij mund të ndodhë vetëm në rrethana të caktuara.

“Nëse edhe PDK hyn në Qeveri, do të jetë momenti kur nuk ke më çka lufton për parime, sepse shkelet çdo parim”, konstatuar ai.

Për Kosova.info Ismet Kryeziu nga KDI duke iu referuar pakënaqësive brenda LDK dhe mundësisë që kryeparlamentarja Osmani të krijoj ndonjë subjekt të ri, tha se beteja brenda partive për mendime dhe vlera të ndryshme janë kontribut në demokracinë e brendshme të një subjekti politik.

“Vjosa Osmani me bashkëmendimtarët e saj nuk do duhej ta zgjidhnin rrugën e një partie të re politike, sepse nga përvojat e deritanishme nuk kanë rezultuar të suksesshme. Përkundrazi kanë ndikuar negativisht dhe kanë kontribuar në ikjen e disa vlerave që ishin prezentë në skenën politike”, vuri në dukje Kryeziu.

Nga ana tjetër, analisti Blerim Burjani e konsideron të nevojshme që të ketë një lëvizje të ngjashme të viteve “90 kur në skenë politike doli LDK, pra kërkohet të ketë një bllok të ri politik që do të duhej të formohej për të ndryshuar gjendjen aktuale politike”. Për më tepër, sipas Burjanit, është më se e nevojshme që të përmbysen interesat e ngushta të individëve që kanë uzurpuar partitë, ndërsa u shërbejnë vetëm  individëve, përkatësisht një grupi të ngushtë anëtarësh.

“Pra këto parti private të individëve janë problemi kryesor i shtetit tonë. Pa dalje nga ky rreth vicioz i tre apo katër njerëzve nuk do të ketë demokratizim të shtetit dhe shoqërisë në përgjithësi”, thotë ai,

Sipas tij, tash është e ndërtuar një demokraci subjektive individuale, ku individ që kanë themeluar parti vendosin edhe për demokracinë dhe shoqërinë.

“Këta individë deri tash kanë vendosur vetëm për interesa dhe privilegje të tyre, jo më shumë. Pra natyrisht se ka vend për parti politike të reja. Unë kisha thënë se shumë më mirë do të ishte të formohej një bllok politik i ri. Ky bllok do të garantonte zgjedhjet e jashtëzakonshme, apo të zakonshme , të cilat do të ndryshonin mentalitetin individual të qeverisjes, përkatësisht mendësinë e etërve dhe sulltanëve mesjetarë në Kosovë” – u shpreh ai.

Se a do ta marr një vendim të tillë zonja Osmani, pritet të shihet ditëve në vijim. Sipas deputetit Avdyli, gjithçka do të varet nga zhvillimet politike në vend, përkatësisht vendimit të PDK-së për t’u bërë pjesë e koalicionit aktual qeverisës, apo jo. Vet Osmani nuk i ka komentuar deklaratat e Avdylit, ndërsa ky i fundit konsiderohet si një ndër mbështetësit e parezervë të saj./Kosova.info/