KULTURË

“Një muaj” vazhdon rrugëtimin në një tjetër festival kualifikues për “Oscar”

Rrëfimi i bazuar në ngjarje të vërtetë, i realizuar si film nën regji të Zgjim Terziqit, do ta vazhdojë rrugëtimin në një tjetër festival, i cili është kualifikues për çmimet prestigjioze “Oscars”.

“HollyShorts Film Festival” është i katërti i llojit të tillë që do ta shfaqë filmin “Një muaj” nga Kosova si pjesë të garës zyrtare.

Ky film i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës ishte dhënë premierë botërore në nëntor të vitit të kaluar në festivalin e kategorisë A, “Cairo International Film Festival” dhe qysh atëherë e ka vazhduar një rrugëtim të suksesshëm nëpër festivale, shkruan sot Koha.

“Një muaj” deri më tani ka marrë dy çmime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa një në Gjermani, që po ashtu ka edhe vlerë monetare.

Rrëfimi i filmit “Një muaj” sillet rreth personazhit të quajtur Ana, një 40-vjeçare e verbër, e pamartuar, e cila jeton sipas marrëveshjes së katër motrave të saj. Pakti i tyre përmban përkujdesjen ndaj saj nga secila motër nga një muaj.

Në filmin “Një muaj” luajnë aktorët: Makfire Miftari, Luan Jaha, May-Linda Kosumoviq, Shengyl Ismajli, Irena Cahani, Fatmir Spahiu, Rinesa Qeriqi, Era Balaj, Dardane Mehmeti, Zog Zeqiri Berisha, Blerina Krasniqi, Nata Zeqiri-Berisha, Lis Spahiu e të tjerë.