Kombëtare

Një mandat i tretë për PS? Baton Haxhiu bën analizën, tregon çfarë problemesh mund të sillte

Analisti Baton Haxhiu, i ftuar në emisionin “Opinion” komentoi intervistën e kreut të PD, Lulzim Basha. Haxhiu tha se sipas tij Basha nuk ishte krejt kundër një marrëveshjeje me PS, ndërsa foli edhe për mundësinë e një mandati të tretë të socialistëve. Sipas Haxhiut, një mandat i tretë në Ballkan është problematik.

“Më bëri përshtypje tek Basha hiq momentet propagandistike, se pati një gjuhë jashtëzakonisht korrekte, shembull i një lideri opozitar se si ndërtohet diskursi i së ardhmes. E përfundoi në mënyrë jashtëzakonisht korrekte. Në fund tha: Unë shqiptarëve do u premtoj një Shqipëri normale, një jetë normale dhe nuk do ju premtoj gjëra që nuk mund t’i realizoj. Dha një mesazh jashtëzakonisht interesant. Gjërat e rralla që nuk besoj është që zoti Basha ka dëshirë që zotit Meta t’ja vazhdojë mandatin. Atij i duhet një farë mozaiku opozitar dhe në këtë mozaik opozitar i duhet edhe Meta brenda dhe i duhet gjuha e Metës, sepse gjuha e Metës nuk është duke u përdorur nga diskursi i Bashës. Basha nuk ishte krejt se ne të ardhmen nuk mund të ketë një marrëveshje me PS. Mandati i tretë i një partie nuk është solid. Edhe nëse e fiton një mandat të tretë, kriza aty e fillon. Basha ishte interesant në një detaj dhe ndoshta ishte një nga pikat kryesore, që duhet ta kufizojmë mandatin e dytë të kryeministrit. Mandati i tretë qeverisës në Ballkan është problematik”, tha Haxhiu.