Kronika e zezë

Një kosovar në Austri dënohet me pesë vjet burgim për trafikim të drogës

Një kosovar 39-vjeçar që kishte punuar për afro një dekadë si “spiun” për autoritetet anti-drogë në Austri, është dënuar me pesë vjet burgim për trafikim të drogës, raporton “Salzburger Nachrichten”.

Procesi ndaj 39-vjeçarit, që kishte qenë gjatë si person i besueshëm i Policisë, kishte filluar më 9 shtator dhe përfundoi të premten, ku gjykata në Salzburg dënoi kosovarin me pesë vjet burgim.

Sipas prokurorisë kosovari nga vjeshta e vitit 2018 deri në vjeshtën e vitit 2019 kishte shitur së paku 1.6 kilogramë kokainë dhe 425 gramë kanabis. U kishte shitur këtë sasi së paku katër personave.

Në aktakuzë thuhet se ai i ka shitur një boshnjaku 53-vjeçar 600 gramë kokainë, i cili më pas u zhyt thellë në aferën “Ibiza”.

Konkretisht po hetohet boshnjaku nga autoritetet për pjesëmarrjen në krijimin e videove në Ibiza që kanë tronditur Austrinë.

Skandali në Ibiza ishte një skandal politik në Austri ku u përfshi ish-zëvendëskancelari i Austrisë, Johann Gudenus. Madje shkaku i skandalit kishte kolapsuar Qeveria e Austrisë.

Për të mos mjaftuar kjo, kosovari kishte qenë me vite “spiun” i autoriteteve anti-drogë të Salzburgut. Nga viti 2008 deri në vitin 2016 ai në afro 40 biznese të drogës kishte luajtur rolin e “karremit”.

Prokuroria në St. Polten ka hetuar policin kryesor të kosovarit dhe hetuesit tjerë të drogës që nga viti 2017 në lidhje me këto marrëveshje. Sipas kësaj, polici kryesor në raportet e tij në gjyqësor nuk ka përmendur ose ka gënjyer për këto marrëveshje të rreme.

Një nga personat që u kapën duke dhënë sasi të madhe të kokainës dhe heroinës agjentëve të maskuar, madje është liruar nga akuzat. Arsyeja: Nuk mund të përjashtohet që ata ishin shtyrë nga “agjentët e maskuar” për të bërë këtë veprim, për të marrë sasi të drogës. Ish-polici e ka mohuar këtë edhe të premten, se i ka shitur kokainë ndokujt. Ai ka pranuar vetëm shitjen e marihuanës.

Gjykata e ka dënuar kosovarin me pesë vjet burgim, për shitje të 1.2 kilogramë kokainë dhe 425 gramë kanabis. Dënimi nuk është i plotfuqishëm.