INTERVISTA

Një jetë të tërë kushtuar arkivistikës

INTERVISTË ME DR. JUSUF OSMANIN, TË VETMIN DOKTOR TË ARKIVISTIKËS  NË KOSOVË

Kosova.info: Cilli ishte rrugëtimi juaj deri te titulli Dr. i Arkivistikës?

Jusuf Osmani: Është një historik i gjatë i rrugëtimit tim deri te titulli i doktorit të shkencës së arkivistikës. Pasi që kreva shkollën fillore në vendlindje – Sllatinë të Madhe të Fushë Kosovës, u regjistrova në Shkollën e mesme ekonomike në Prishtinë, të cilën e përfundova në qershor të vitit 1967. Ato ditë në Shkollën Normale në Prizren u organizua seminari tremujor për rikualifikm për mesues. Pasi kreva këtë kurs e mora diplomën e Shkollës Normale u punësova në Shkollë fillore në Magurë të Lipjanit. Tani kisha dy diploma të shkollës së mesme. Me njërën e regjistrova Fakultetin e Shkencave Matematikore-natyrore, dega e gjeografisë dhe tjetrën Shkollën e Lartë Pedagogjike, grupi histori-gjeografi në Gjakovë. Njëherit edhe punoja si arsimtar në shkollën e Magurës.  Pasi diplomova në SHLP në Gjakovë, në vitin 1970 kalova të punoi në Shkollën fillore të vendlindjes në Sllatinë të Madhe. Në vitin 1972 diplomova në Fakultet dhe kalova të punoi si profesor në Shkollën e mesme për aftësimin profesional në Prishtinë.

Gjatë tërë jetës sime isha i interesuar për të kaluarën tonë historike, njohuritë e të cilave i thellova me kryerjen e shkollës së lartë dhe fakultetit. E dija se tërë dokumentacioni për historinë tonë gjendët në Arkiv dhe dëshiroja që të punoja aty. Në vitin 1973 arrita që të punësohem në Arkivin e Kosovës. Mirëpo, si kusht për të punuar në arkiv ishte kryerja e kursit gjashtëmujor të arkivistikës që organizohej në Beograd. Shkova e vijova dhe e kreva me sukses këtë kurs dhe fitova bazat e para të lëmisë së arkivistikës. Po në këtë vit regjistrova studimet pasuniversitare në Universitetin e Zagrebit, dega e gjeografisë. Punoja në arkiv, por kohë pas kohe vijoja mësimet në Zagreb. Me sukses i dhashtë të gjitha provimet dhe ndërkohë marra temën e magjistraturës me titull “Vlerësimi historiko-gjeografik i kolonizimit agrar në Kosovë 1918-1941”, të cilën e mbrojtja para komisionit të Fakultetit në vitin 1978 dhe mora titullin – Magjistër i shkencave të gjeografisë. Në ndërkohë kisha përgaditur dhe hapur ekspozitën “100 – Vjetori i Lidhjes së Prizrenit”, të cilën pas hapjes në Prishtinë, e hapëm në të gjitha qendrat e Republikave dhe të Krahinës së Vojvodinës. Në shtator të vitit 1979 e hapëm ekspozitën në Lubjanë. Kolegët e Arkivit të Republikës së Sllovenisë më treguan se është hapur konkursi për pranimin e kandidatëve në sudimet për doktoraturë të lëmisë së arkivistikës, për herë të parë në ish Jugosllavinë. Konkurova dhe u pranova. Isha i vetmi kandidat nga Kosova, por kishte edhe të Republikave të tjera dhe të Vojvodinës. E propozova temën e doktoraturës me titull “Lënda arkivore për kolonizimin dhe reformën agrare në Kosovë 1918-1941”, e cila u pranua dhe mentor më është caktuar prof. dr. Jozhe Zhontar. Punova me përkushtim, hulumtova në shumë arkiva të vendit dhe të botës dhe pas një pune intensive arrita që në vitin 1986 ta përfundoj dhe ta mbrojë këtë temë para komisionit të profesorve eminent të Universitetit të Lubjanës. Isha kandidati i parë në këtë Universitet, në degën e arkivistikës që u doktorova. Ndërkohë isha në specializime nga lëmia e arkivistikës në Vjenë, Moskë dhe Pragë ku edhe i thellova edhe më shumë njohuritë nga lëmia e arkivistikës.

Kosova.info: Bazat e arkivistikēs dhe zhvillimi i saj në Kosovë.

Jusuf Osmani: Arkivistika është disiplinë shkencore e cila merret me studimin teorik dhe praktik si dhe aplikimit të metodave dhe parimeve të punës  të krijimit, mbrojtjes, ruajtjes, pranimit, rregullimit, përpunimit, vlerësimin, publikimit, shfrytëzimit etj. të lëndës arkivore. Qëllimi i tërë kësaj është që arkivistika të jetë në shërbim të shkencës dhe historisë, përktësisht në funksion të shoqërisë.

Arkivistika sikurse çdo disiplinë tjetër shkencore, ka lindur nga nevojat praktike shoqërore, në rastin konkret nga nevoja që me administrimin me akte të përcaktohen parimet dhe metodat e klasifikimit dhe sistemimit, që dokumentet e kërkuara mundën në çdo kohë, kur është e nevojshme, lehtë dhe shpejt të gjenden.Ndërsa, funksioni themelor i arkivit, qëllimi dhe detyrat e arkivit në çdo shtet është që të ruan lëndën arkivore si pjesë e trashëgimisë kulturore të shkruar ku gjendet memoria e popullit.

Për arkivat dhe shërbimin arkivor në territorin e sotëm të Kosovës nuk kemi shënime të duhura deri në kohën pas Luftës së Dytë Botërore. Në Kosovë, siç është e njohur për shkak të sundimit shekullor nga të huajt, mungonte kujdesi për dokumentet e shkruara, ndërsa okupatorët dokumentet me rëndësi të posaçme historike e shkencore i shkatërronin ose i bartnin në arkivat e veta. Kështu, te ne deri në vitin 1948 nuk ekzistonte kurrfarë shërbimi arkivor. Prandaj, si pasojë e tërë kësaj ishte shkatërrimi i shumë dokumenteve të shkruara e të krijuara në trevat shqiptare, konkretisht në Kosovë.

Organizimi i mirëfilltë i shërbimit të sotëm arkivorë daton që nga viti 1948, kur në kuadrin e Drejtoratit Krahinor për Arsim dhe Kulturë, formohet Qendra arkivore, e cila kujdesej për mbrojtjen, evidencimin etj. të lëndës arkivore. Më 20 mars 1951, në bazë të Ligjit mbi arkivat shtetërore të ish Jugosllavisë dhe me Vendimin e Këshillit Popullor Krahinor formohet Arkivi Shtetëror i Krahinës, tani Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, në Prishtinë. Që nga fillimi e deri në vitin 1968, përkatësisht deri në vitin 1970, kur u krijua rrjeti arkivor në baza ndërkomunale e komunale, Arkivi kreu funksionin e vet në tërë Kosovën.

Me suprimimin e autonomisë nga Kuvendi i RSS, Arkivi i Kosovës administrohet nga masat e dhunshme dhe i ndërrohet emri në Arkivi i Kosovës dhe Metohisë. Pas mbarimit të luftës së vitit 1999, dhe vendosjes së administratës ndërkombëtare të OKB-së, saktësisht më 21 qershor të këtij viti, arkivi administrohet nga organet legjitime të dala pas luftës dhe i rikthehet emri Arkivi i Kosovës.

Në vitin 2003, aprovohet Ligji mbi lëndën arkivore dhe arkivat. Në bazë të këtij ligji krijohet Drejtoria e Arkivave të Kosovës.

Organizimi i shërbimit arkivor është faktor i rëndësishëm në zhvillimin e tij, sepse në të mbështeten mekanizmat e veprimtarisë së shërbimit. Rrjeti arkivor është tërësia e arkivave dhe kompetencat e tyre territoriale e ligjore në mbrojtjen e lëndës arkivore. Ky përfshin organizimin arkivor në territorin e caktuar.

Shërbimi arkivor i Kosovës është i organizuar sipas rrjetit, analogjikisht ndërtimit administrativo-territorial të Kosovës, siç janë: Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës. Në kuadër të kësaj Agjencie janë Arkivi Shtetëror i Kosovës dhe arkivat rajonale. Ndërsa, nëpër disa komuna funksionojnë arkivat komunale.

Zhvillimi dhe futja e standardeve profesionale dhe standardeve cilësore për administrimin me lëndë në të gjitha fazat e ciklusit jetësor të dokumenteve është një prej detyrave prioritare të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës. Në procesion e zhvillimit të strukturës informative do të ndërlidhet shërbimi arkivor dhe do të inkuadrohet në rrjetin evropian të institucioneve arkivore (EUN). Ndërsa, tani është inkuadruar në rrjedhat ndërkombëtare, ku në vitin 2004 duke u pranuar në Këshillin Ndërkombëtar të Arkivave, në kategorinë A, si arkiv nacional.

Kosova.info: Cilat janë hulumtimet tuaja në fushën e arkivave (sfidat, problemet e sukseset)?

Jusuf Osmani: Gjatë studimeve pasuniversitare dhe të doktoraturës kam fituar njohuri të shumta për metodologjinë e hulumtimit, shfrytëzimit, publikimit etj. të lëndës arkivore. Ndërsa, gjatë punës në arkiv janë njohur me pasurinë dhe thesarin arkivor që ndriçon shumë çështje nga e kaluara e jonë historike, jo vetëm në Arkivin e Kosovës por edhe në disa arkiva të rajonit dhe të botës. Andaj, interesimi im për hulumtime arkivore është fokusuar në temat që kisha njohuri paraprake dhe kisha hasur gjatë punës sime në arkiv dhe gjatë vizitës së disa arkivave.

            Studimet dhe hulumtimet e mija në fushën e arkivave janë fokusuar në këto drejtime:

            – veprimtaria arkivore profesionale, që përfshinë mbrojtjen, ruajtjen, evidentimin, pranimin, rregullimin, përpunimin, shfrytëzimin, publikimin, mikrofilmimin, por edhe digjitalizimin e lëndës arkivore,

            – hulumutimet arkivore për të temat të cilat ishin në fokus të studimeve të mia, siç ishin: kolonizimi i Kosovës me elementin sllavë, reforma agrare, shpërngulja e shqiptarëve nga vendlindja,

            – studimi dhe ndriçimi i personaliteteve të njohura të të kaluarës sonë historike, ku për ta gjeja dokumente të bollshme në arkiva të ndryshme,

            – studimi i historikut të çdo vendbanimi në Kosovës,

`           – në vitet e fundit edhe hulumtimi dhe ndriçimi i krimeve të pushtetit serb në Kosovë në luftën e fundit 1998-1999.

Kosova.info: Fryt i kēsaj pune janë dhjetëra libra hulumtues e shkencor.

Jusuf Osmani: Shkrimet e para artikuj të ndryshëm nga veprimtaria profesionale arkivore dhe tema të ndryshme historike kam filluar t’i botoj që nga viti 1974 në revistën “Vjetar” të Arkivit të Kosovës, në revisten “Arhivist”, “Arhivski Vjesnik” dhe në disa revista e gazeta të ndryshme të kohës që janë botuar në Kosovë e jashtë Kosovës. Vepra e parë e botuar e imja është tema e doktoraturës në vitin 1996 dhe më pastaj Leksikoni i termave dhe shprehjeve të arkivistikës, po ashtu në vitin 1996. Pas vitit 1999 fillova me intezitet të theksuar hulumtimet dhe botimet e shumë veprave profesionale arkivore dhe shkencore historike. Botimet e mia nga lëmia e historisë kryesisht janë të mbeshtetura në dokumentet arkivore.

Po i theksoj disa vepra më karakteristike. Në vitin 2000 botova librin Kolonizimi serb i Kosovës, ku recensent e kisha historianin e mirënjohur Noel Malkolm. Nga librat profesionale të arkivistikës duhet përmendur: Arkivistika, teoria dhe praktika, Mbrojtja dhe ruajtja e lëndës arkivore, Vlerësimi i lëndës arkivore, Publikimi i lëndës arkivore, Fjalori terminologjik i arkivistikës dhe shumë të tjera. Përktheva dhe përshtata për nevoja të arkivave të Kosovës gjashtë standarde ndërkombëtre të arkivistikës.

Nga lëmia e historisë botova librat: Kolonizimi, Reforma Agrare dhe Shpërngulja e shqiptarëve – dokumente 1918-1941, Ndarja administrative-territorale e Kosovës 1944-2008, Atentatet në Pragë, Vrasja e Cena beg Kryeziut në vitin 1925, Vrasja e konsullit rus Shqerbinit në Mitrovicë më 1903, Masakra serbe në Zagori të Vushtrrisë në vitin 1924, Cerkezët në Kosovë, Abetarja e gjuhës shqipe të vitit 1898 dhe shumë të tjera. Kam botuar edhe disa libra ku kam ndriçuar personalitetet e njohura të Kosovës të bazuar në dokumentet arkivore, si ajo e Ferhat bej Dragës, Sherif Vocës e shumë të tjera. Numri i librave të mia të botuara, prej tyre dhjetë me bashkëautorë sillet rreth 60 vepra.

Kosova.info: Sa shfrytëzohen arkivat për hulumtime shkencore?

Jusuf Osmani: Arkivat paraqesin pjesë qenësore dhe të pazëvendësueshme të thesarit kulturor, sepse e ruajnë kujtesën e popujve, dhe në të njëjtën kohë nga ato varet pjesa e madhe e kujtesës njerëzore. E drejta për shfrytëzim të informatave të cilat posedojnjë, disponojnë ose i mbikëqyrin organet publike të pushtetit rregullohen me dispozita ligjore. E drejta për qasje në informata përfshin të drejtën e të autorizuarit për kërkimin dhe marrjen e infromatave, si dhe obligimet e organeve pushtetit publik që të mundësojnë shfrytëzimin e informatave të kërkuara.

Në këtë aspekt, edhe arkivi, si institucion publik nuk është vetëm detyra themelore ruajtja e lëndës arkivore, rregullimi dhe përpunimi, por edhe mundësia e shfrytëzimit të saj për nevoja shkencore, administrative dhe private.

Rëndësia e dokumentit arkivor si dëshmi e fakteve historike, juridike dhe fakteve të tjera relevante jetësore, e ngrit gjithnjë e më tepër vlerën e tij për nevoja shkencore e shoqërore. Paralelisht me zhvillimin e historisë si dhe metodave hulumtuese të saj, ngritet rëndësia e lëndës arkivore si burim i hulumtuesve, duke ia dhënë karak-teristikat e rolit bashkëkohor, dhe me këtë edhe të arkivave. Kërkesat e zhvillimit shoqëror kanë bërë që përveç rëndësisë shkencore, lënda arkivore si monument i kulturës, të ketë edhe rëndësi kulturore-arsimore, propagandistike etj.

Interesimi për burimet arkivore në vitet e fundit ka filluar të rritet. Lënda arkivore po shfrytëzohet në studjuesit e shumtë të lëmive të ndryshme, e sidomos të historisë. Lëndën arkivore në decieniet e fundit të këtij shekulli po e shfrytëzojnë me të madhe edhe qytetarët për realizimin e të drejtave të tyre pronësore, banesore, stazhit të punës, historikut të familjes dhe të tjerë. Mirëpo, ende nuk shfrytëzohet në nivelin siç shfrytëzohet në shumë shtete të botës.

Te studjuesit e ri, problem të veçantë paraqet mosnjohja e gjuhës serbe, me që lënda arkivore në arkiva deri në luftën e fundit të vitit 1998/99 është në masë të madhe në gjuhën serbe, andaj ata me vështirësi po e shfrytëzojnë, ndërsa ata të tjerët më të moshuar paraqet mosnjohja e gjuhëve të huaja ku një sasi e madhe e dokumentacionit arkivor është sjellur nga arkivat e shteteve Evropiane, sidomos atyre perendimore. Pengesë të madhe paraqet edhe shfrytëzimi i lëndës arkivore në gjuhën osmane, sepse në Kosovë është një numër i vogël i studjuesve që e njohin këtë gjuhë.

Kosova.info: Punën tuaj hulumtuese e keni zhvilluar edhe në fshatra duke realizuar një projekt me vlerë për vendbanimet e Kosovës.

Jusuf Osmani: Nxitja edhe ideja ime për një projekt të tillë më lindi kah mesi i viteve të tetëdhjeta të shekullit të kaluar. Më ra në dorë një libër voliminoz me titull “Zaduzhbine Kosova” e botuar në vitin 1977 nga Eparhia e Rashkës dhe Prizrenit në Prizren dhe më atë të Beogradit. Në atë libër kishin shkruar për shumë vendbanime të Kosovës. Ato ishin paraqitur në formë të shtrembuar, të falsifikuar dhe me shumë të pavërteta. Po thuaj se për çdo vendbanim fillon të shkruanin që nga mesjeta, të sundimit serbë në Kosovë. Nuk kishin përmendur se ato vendbanime kanë ekzistuar edhe më parë gjatë kohës së ilirëve por edhe më vonë deri në ditët e sotme. Bënin shtrembimin e fakteve, popullatën shqiptare të konfesionit krishterë e paraqitnin si serbe etj. Kjo më iritoi dhe fillova të grumbullojë të dhëna që t’i kundërvihem këtij pamfleti politik. Gjeta aq shumë burime që fillova t’i sistemoj sipas komunave dhe vendbanimeve të to. Mirëpo, të dhënat historike arkivore nuk mjaftonin, andaj fillova dhe shkova në çdo vendbanim shqiptarë dhe ate më popullatë të përzier, por edhe në ndonjë vendbanim serbë. Duhet theksuar se në Kosovë regjistrova 1273 vendbanime, prej tyre në periudhën deri në vitin 2005 vizitova më se 1100 vendbanime, disa edhe nga dy herë, madje edhe lagje, me që disa vendbanime ishin të shpërndara. Më punën hulumtuese nëpër arkiva dhe në terren arrita që të përgadisë një edicion prej 20 botime libra për 30 komuna të atëhershme të Kosovës.

Kosova.info: Keni zbardhur edhe shumë ngjarje historike dhe shumë personaliteteve historike.

Jusuf Osmani: Po, gjatë hulumtimeve të mia në Arkivin Shtetëror të Kosovës, por edhe në disa arkiva të rajonit dhe të botës gjeja dokumente për pesonalitete të njohura atdhetare që kanë kontribuar për çështjen kombëtare, ose për ndonjë ngjare historike. Po përmendi këto raste. Gjatë hulumtimeve në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, por edhe në disa arkiva të tjera gjeta dokumente për Ferhat bej Dragën dhe Sherif Vocën të cilët i botova në dy vepra të veçanta. Në vitin 2000 isha në caktuar një ndër ligjeruesit të një trajnimi dy javorë në Sankt Petesburg të Rusisë për zyrtarët arkivor të Evropës verilindore. Aty, pasi i kreva ligjeratat e mija, shkova dhe hulumtova në Arkivin shtetëror të këtij qyteti. Gjeta shumë të dhëna për vrasjen e konsulit rus në Mitrovicë në vitin 1903. I morra, i përpunova dhe i botova në një libër të veçantë. Në Arkivin Nacional të Pragës në Ceki, gjatë qendrimit studimor profesional bëra hulumtime arkivore dhe gjeta tërë dokumentacionin në lidhje me vrasjen e Cena Beg Kryeziut në Pragë në vitin 1927 edhe këto i botova në një vepër të veçantë. Kam botuar edhe vepra të tjera për pesonalitete të kohës, por edhe për dëshmorët e UCK-së. Numri i tyre është i shumtë dhe nuk mund të përfshihen në këtë intervistë.  

Kosova.info: Një punë me vlerë e juaja është edhe prezantimi në librat tuaj i krimeve serbe në Kosovë.

Jusuf Osmani: Nisma për realizimin e këtij projekti ishte inicuar në vitin 2002. Këshilli i Evropës në Strasburg, më 25 dhe më 26 nëntor 2002 organizoi një Konferencë profesionale për aktivitetet e Këshillit në lëmin e veprimtarisë arkivore. Në atë Konferencë, në mes tjerash është shqyrtuar edhe për mundësitë e projektit të evidentimit ose grumbullimit të lëndës për konfliket në territorin e ish Jugosllavisë. Përkitazi me këtë, konferenca ka sjell konkluzionet që Arkivi Shtetëror i Kroacisë të propozojë dhe të shqyrtojë mundësinë që palët e interesuara të inicojnë projektin e identifikimit të burimeve ekzistuese, dhe se a janë të interesuara që të marrin pjesë në atë. Më pastaj në mes tjerash të japin propozimet përkitazi me këtë dhe institucionet ndërkombëtare dhe nacionale që mund të dispononim me atë lëndë për konfliktet në territorin e ish Jugosllavisë.

Arkivi Shtetëror i Kroacisë me shkresën klasa 041-02/02-01/01, nr. 565-10-03-5, datë 7 janar 2003, iu ka drejtuar të gjitha arkivave shtetërore, duke përfshirë edhe Arkivin Shtetëror të Kosovës që të japin propozimet përkitazi me këtë çështje. Arkivi Shtetëror i Kosovës me shkresën 01 nr. 28/03, datë 17 shkurt 2003, e informon këtë institucion se është i interesuar për këtë dhe ai ka hartuar një projekt për grumbullimin e të dhënave lidhur me krimet e bëra në Kosovë. Mirëpo, ky propozim nga disa shtete të rajonit nuk hasi në mirëkuptim dhe nuk është realizuar.

Mirëpo, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, në krye të cilës isha unë, pas një periudhe të gjatë ka filluar realizimin e këtij projekti në mënyrë vetanake. Realizimi i këtij projekti ka kërkuar angazhim dhe punë ekipore. Andaj, kjo punë është realizuar në koordinim me punën ekipore të arkivistëve të shumtë në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe arkivave ndërkomunale e komunale si dhe me bashkëpunëtorë të shumtë. Në krye të këtij projekti isha unë. Në bashkëpunim me arkivistët e arkivave rajonale dhe komunale u grumbulluan disa shënime, por jo komplete. Andaj u desh që të shkohet në çdo komunë, por edhe në shumë vendbanime dhe u grumbulluan të dhënat për krimet serbe në Kosovës, duke përfshirë të vrarët, të zhdukurit, dëshmorët e rënë, rrënimet e objkteve të banimit, objekteve ekonomike, fetare dhe të tjera. Të gjitha të dhënat e grumbulluara i përmblodha në dy vepra nga dy vëllime. Vepra e parë është “Krimet e Serbisë në Kosovë 1998-1999” dhe “Krimet e Serbisë ndaj fëmijëve në Kosovë 1998-1999. Këto libra u botuan në vitin 2010 dhe ishin kundërpergjigje të akuzave të paqena të Dick Martit ndaj pjesëtarëve të UÇK-së. Këto libra u përkthyen edhe në gjuhën angleze dhe u shpërndanë nëpër shumë institucione kulturore, shkencore e të tjera në botë.

Kosova.info: Pasioni juaj për Arkivistikën mundësoi të realizohet projekti juaj për hapjen e studimeve master drejtimi Arkivistikë në kuadër të Fakultetit Filozofik, sa jeni të kënaqur.

Jusuf Osmani: Synimi im përherë ka qenë që të kontriboi edhe në aftësimin dhe shkollimin e kuadrit arkivorë në Kosovës që ekzistonte mungesë dhe nevojë e madhe. Disa vite kërkoja nga Universiteti i Prishtinës për hapje e drejtimit të arkivistikës, niveli bashqeler, por pa sukses. Në vitin akademik 2014/2015 në bashkëpunim me Fakultetin Filozofik në Prishtinë, katedra e historisë, arritëm që ta akreditojmë dhe të hapim drejtimin e arkivistikës në nivelin master. Ishte një kënaqësi dhe gëzim i madh për mua, sepse dëshiroja që të lë dike pas meje, që të merren me arkivistikë. Programi u akreditua për tri vite dhe dolën tri gjenerata të suksesshme. Ligjerues ishin përveç meje edhe edhe disa profesor të Fakultetit Filozofik në Prishtinë. Ligjeratat zhvilloheshin në Fakultet, ndërsa puna praktike në Arkivin Shtetëror të Kosovës. Menjëherë pas hapjes botova disa libra, literaturë profesionale për studentët e arkivistikës, të cilat iu shërbenin si material bazë për studime. Disa nga studentët, por fatkeqësisht në numër të vogël u punësuan në disa institucione të Kosovës, e disa veç ishin duke punuar. Por, disa institucione tona duke mos ia ditur rëndësinë e këtij kuadri, për shkak të nepotizmit nuk po i pranojnë këta kuadra të përgatitura profesionalisht, por të tjerë që më parë nuk kanë pasur kurrfarë njohuri për arkivistikën.

Në fund doja të theksoja se relativisht jam i kënaqur me nivelin e arritur të njohurive të kandidatëve nga lëmia e arkivistikës, por nuk jam i kënaqur me punësimin e tyre në institucionet që menaxhojnë me dokumentacionin arkivorë.

Kosova.info: Në rrugëtimin tuaj gjatë punës kërkimore shkencore keni pervoja të mira, por edhe të hidhura, çka do të veçonit për këtë intervistë?

Jusuf Osmani: Që nga viti 1973 pandërprerë deri në vitin 2013, kur pensionohem, por vazhdoi punën në fakultet si ligjerues në programin e arkivistikës deri në vitin 2018, kur përfundon ky program, tërë jetën time ia kam kushtuar arkivistikës. Këtë profesion e kam dashur dhe e dua, andaj kam punuar me përkushtim. Falë njohurive të medotologjisë kërkimore shkencore kam arritur që të bëjë hulumtime të shumta arkivore e njëheritë edhe të botoj shumë vepra nga lëmia e arkivistikës dhe të historisë të bazuar në dokumentacionin arkivorë. Shumë përvoja kamë arritur t’i marrë nga kolegët e mi nga arkivat e shteteve të tjera, e sidomos të atyre të Kroacisë dhe të Sllovenisë, ku arkivistika është në nivel shumë më të lartë. Përvojat e mia me të tjerë i kemi paraqitur në shumë seminare, konferenca profesionale, kongrese të arkivistikës që janë mbajtur në shumë vende të botës, në të cilat kam marrë pjesë edhe unë, në shumicën e tyre me kumtesa profesionale arkivore.

Pas vizitës që i bëja disa prej arkivave të botës, por edhe pjesëmarrjes në tubime profesionale shkencore të arkivistikës, shihja se shtetet tjera të botes, por edhe të rajonit në nivelin profesional ishin shumë më përpara në kujdesjen, mbrojtjen, ruajtjen, përpunimin, shfrytëzimin, publikimin, mikrofilmimin e më pastaj digjitazimin e lëndës arkivore. Shihja kujdesin dhe mbështjetjen e madhe të tyre shteteve për arkiva ku ruhej memoria e popullit. Kur krahasoja me ne që ata ishim shumë larg prej nesh. Mundohesha të sillja ato përvoja të tyre, por në Kosovë nuk kishim kuadra të atij niveli që t’i zbatonin në praktikë e më pak edhe përkrahje institucionale shtetërore të arkivave. Ky ishte zgjënjimi më i madh i imi. Mundohesha të kompenzoja duke përkthyer në gjuhën shqipe standardët ndërkombëtare të arkivistikës, por ato ende pak zbatohen në arkivat e Kosovës, sepse për këtë duhet njohuri të larta profesionale, por edhe dëshirë dhe përkushtim.

Intervistoi: Izet ABDYLI

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.