OPINION

Një jetë e përkushtuar për Shtet dhe për Flamur

Shkruan: Bajram MJEKU
Për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, zgjodha të shkruaj për Ramadan Berishën nga Bardhi i Madh i Fushë-Kosovës.

Ishte aktivist i shquar i Rinisë së Lëvizjes Nacionaldemokratike Shqiptare, shef i së cilës ishte profesor Gjon Serreçi, ndërsa ideator i themelimit të saj ishte profesor Selman Riza. 

Lëvizja Nacionaldemokratike Shqiptare u themelua në vitin 1943 dhe ishte forcë e djathtë politike e proevropiane, në kuadër të së cilës funksiononte edhe krahu ushtarak. Kjo Lëvizje kishte rreth 10 mijë aktivistë politikë e rreth 33 mijë simpatizantë dhe luajti rol të rëndësishëm gjatë Luftës së Dytë Botërore. Qindra aktivistë të saj, nuk e ndërprenë aktivitetin politik edhe disa vjet më vonë.

Në janar të vitit 1947, Gjykata Ushtarake serbe në Prishtinë e dënoi Ramadan Berishën me 20 vjet burg të rëndë, për faktin se ishte pjesëmarrës edhe në Kongresin e Lipovicës. Ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Ajet Gërgurit, Azem Jashanicës e Ramiz Qyqallës, të cilët ishin edhe bashkëvendas të tij.

Ramadan Berisha aktivitetin e tij politik, nuk e ndërprehu edhe mbasi u vendos shtetrrethimi ushtarak në shkurt të vitit 1945 nga Jugosllavia komuniste. Për fatin tonë të keq, shtetrrethimin e mbështetën edhe Brigada e Pestë dhe Brigada e Gjashtë Shqiptare, të cilat luajtën rol vendimtar për asgjësimin e Brigadës së Shaban Polluzhës.

Jeta dhe veprimtaria e Ramadan Berishës është ndër më të dhimbshmet e ish të burgosurve politik shqiptarë. Gjatë fazës së hetuesisë, më saktë për shkak të torturave nga inspektorët e Sigurimit serb, nuk la trashëgimtarë…

Ramadan Berisha mbahet mend edhe si njeri i dashur për miqtë dhe rrethin e tij. Nuk do t’i harroj asnjëherë vizitat e Tij në familjen time me rastin e Ditës së Flamurit më 28 Nëntor. Prania e këtij burri të dashur e fisnik, ia shtonte madhështinë këtij përvjetori të rëndësishëm, i cili ishte i ndaluar të festohej zyrtarisht për shqiptarët në ish-Jugosllavi.

Ramadan Berisha ndërroi jetë më 9 prill të vitit 1989 në vendlindjen e tij në Bardh. Ato ditë, regjimi serb vuri orë policore dhe Kosova po hynte në fazën më të errët të okupimit të ri nga regjimi i vjetër. Ramadan Berisha gjithë jetën e shkoi nën survejim të Shërbimit Sekret serb.

Në Rrafshin e Kosovës, Lëvizja Nacionaldemokratike Shqiptare ishte më e organizuar se në rajonet tjera të Kosovës.

Më 23 dhjetor të vitit 1989, plot dyzetekatër ditë mbas rënies së Murit të Berlinit, nga fryma dhe mbi themelet e Lëvizjes Nacionaldemokratike Shqiptare, u themelua partia e parë pluraliste në Kosovë; Lidhja Demokratike e Kosovës, shef i së cilës u zgjodh dr. Ibrahim Rugova.