Kombëtare

Një i arrestuar në Pejë, sulmoi viktimën në rrugë me armë

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Pejë pasi dyshohet se kishte sulmuar një qytetar në rrugë e madje kishte nxjerrë armën e zjarrit me dorezën e së cilës kishte goditur viktimën.

Rasti kishte ndodhur të shtunën. Në mbrëmje viktima ishte paraqitur në stacionin policor në Pejë me ç’rast kishte raportuar se “sa ishte duke ecur në rrugë i kishte kaluar pranë një veturë e tipit ‘Mercedes’ me targa vendore, nga ajo veturë kishte dalë personi i dyshuar duke e sulmuar viktimën”.

Personi i dyshuar sipas viktimës nga brezi kishte nxjerrë armën e zjarrit me të cilën kishte shtënë në ajër dhe më pas me dorëzën e armës e kishte goditur viktimën të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore, më pas i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa viktima ka shkuar në spitalin rajonal në Pejë ku ka marrë tretmanin mjekësor.

Policia pas hetimeve ka identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin e me urdhër të gjyqtarit ka bërë kontrollin – bastisjen e shtëpisë dhe objekteve përcjellëse. Gjatë bastisjes në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar, një armë e gjatë dhe një bajonetë.

Të dyshuarit pas intervistimit me aktvendim të prokurorit të shtetit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.