Kosova

Një dasmë me 300 të ftuar në Zveçan, mund të shndërrohet në “bombë” të përhapjes së koronavirusit

Tre serbe të Kosovës janë infektuar me koronavirus deri më tani, dy në veri të vendit dhe një në komunën e Lipjanit. Në mesin e tyre është një 43-vjeçar nga veriu i Mitrovicës, që është bartur për shërim në Nish. Megjithatë druhet se numri i të infektuarve do të shënojë rritje dramatike, shkaku i shpërfilljes së ndalesës së tubimeve.

Gazeta serbe “Novosti” e përcjell deklaratën e Milan Ivanoviqit, njërit prej drejtuesve spitalorë në Mitrovicë. Ai ka thënë se dyshohet që ky 43-vjeçar ishte infektuar në një dasmë, dy javë më parë, në një restoran në Zveçan, transmeton KOHA.

“Në dasmë kanë qenë më shumë se 300 të ftuar, midis të cilëve edhe një grua nga Kragujevci, që kishte qenë e infektuar. Tani duhet hulumtuar se kush ka qenë në këtë dasmë dhe të testohen të gjitha rastet e dyshimta. Derisa të mos mbërrijnë rezultatet, të gjithë duhet të vihen në vetëizolim”, ka thënë Ivanoviqi.

Mediet serbe raportojnë se pacienti nga Mitrovica kishte ardhur vetë tek mjeku, pasi që kishte pasur temperaturë dhe fillimisht ishte vendosur në Infektivën e Spitalit të Mitrovicës. Ai kishte dalur pozitiv në COVID-19 dhe ishte diagnostifikuar edhe me pneumoni.

Rasti i parë i koronavirusit tek serbët e Kosovës është konfirmuar më 27 mars, tek një 62-vjeçare nga fshati Dobrotin i Lipjanit.