Kombëtare

Nitaj zotohet për investime në fushën e mjedisit në Gjakovë

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit(MEA), Muharrem Nitaj, ka vizituar sot Komunën e Gjakovës, ku u prit nga kryetari i kësaj komune, Ardian Gjini. Gjatë vizitës në Komunën e Gjakovës ministri Nitaj është njoftuar nga afër me projektet e përbashkëta që kanë MEA dhe Komuna e Gjakovës, me ç’rast nënshkruan tri marrëveshje nga fusha e mbrojtjes së mjedisit dhe ambientit.

Ministri Nitaj ka thënë se vëmendja e ministrisë që ai drejton është e orientuar të mbështesë Komunën e Gjakovës në realizimin e projekteve që për synim kanë mirëqenien e qytetarëve dhe këtë më së miri e dëshmon nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve.

“Të gjitha marrëveshjet e nënshkruara sot në mes të MEA-së dhe Komunës së Gjakovës janë nga fusha e mbrojtjes së mjedisit dhe ambientit. Në marrëveshjen e parë hyn ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Gjakovë, projekt ky  jashtëzakonisht i rëndësishëm për komunën dhe qytetarët e Gjakovës. 

Në kuadër të këtyre marrëveshjeve përfshihet edhe ndërtimi i pendës te Ura e Fshenjtë, si dhe rregullimi i shtratit të Lumit Krena në Gjakovë”. tha Nitaj.

Më tej, i pari i MEA-së u shpreh se Qeveria e Kosovës, respektivisht ministria që ai drejton ka kohë që i ka mbështetur komunat e Kosovës, e në mënyrë të posaçme ka mbështetur Komunën e Gjakovës në projekte të ndryshme, me theks të veçantë ato mjedisore.     

Nga ana e tij, kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini falënderoi ministrin Nitaj për përkrahjen që MEA ka ofruar dhe po ofron në avancimin dhe realizimin e projekteve kapitale në Komunën e Gjakovës. 

“Marrëveshja e cila ka të bëjë me vazhdimin e punimeve  në Lumin Krena, segmentet e tanishme të shëtitores janë kryer me shpenzimet tona kurse për tri vitet e ardhshme do të  kemi mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit. Ndërsa projekti i dytë është tenda, lifti dhe kampingu te Ura e Fshenjtë i cili poashtu do të jetë bashkëfinancim mes Komunës së Gjakovës dhe MEA-së”, tha Gjini.

Kryetari Gjini tha se projekti i vazhdimit dhe përfundimit të Kolektorëve dhe impiantit për trajtimin e ujërave të zeza i cili ka filluar në vitin 2018 me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit pritet që të përfundojë shpejt.​ /Kosova.info/