Kombëtare

Nisma Qytetare SDP i kërkon Prishtinës e Beogradit të gjejnë vrasësin e Ivanoviqit

Nisma Qytetare ‘Serbi Demokraci Drejtësi’ ka rikujtuar sot se kanë kaluar 18 muaj nga vrasja e liderit të saj, Oliver Ivanoviqit, ndërsa vrasësi i tij ende nuk është gjetur, transmeton Koha.net.   

“Ia rikujtojmë organeve hetuese të Prishtinës e të Beogradit se duhet të zbulohet vrasësi i Oliverit dhe ai të procedohet”, thekson NQ SDP.

“Nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë kërkojmë që në përputhje me mandatin e tyre të bëjë presion  në institucionet që janë të ngarkuara për të vendosur sundimin e të drejtës dhe të garantojnë siguri për të gjithë qytetarët”, theksohet në komunikatën e saj.  

Në komunikatë po ashtu theksohet se muajt e kaluar kanë kaluar midis përplasjeve politike të autoriteteve të Prishtinës e të Beogradit.   

“Prishtina pohon se ka lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar për arrestimin e personave të dyshimtë, ndërsa institucionet në Beograd po ashtu fajësojnë persona të caktuar  pa ndonjë  fakt të qartë  e as sqarime. Në Beograd po ashtu është mbajtur mbledhja e strukturave të sigurisë  por në opinion nuk ka dalë asnjë hollësi nga ai takim në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit”, rikujton NQ SDP.