Kosova

NISMA në Qeveri nëse e kalon pragun, vijnë reagimet nga partia e Limajt edhe Vetëvendosje

NISMA e Fatmir Limajt mund të ua prishë pazaret me koalicionin LDK-së e Vetëvendosjes në rast se kalon pragun e siguron ulëse në Kuvend të Kosovës. Lideri i LDK-së, Isa Mustafa dha sinjale se do të pranonte në koalicion partinë e Limajt, e  në një bisedë për Gazetën Express deklaratës së tij sot iu është përgjigjur Jakup Krasniqi. VV në anën tjetër kanë thënë për gazetën se nuk flasin për këtë temë, sa kohë që Nisma vazhdon të mbetet jashtë kuvendit.

Në kohën kur LDK e Vetëvendosje kanë filluar takimet në mes të grupeve koordinuese për të harmonizuar programet, lideri i Lidhjes Demokratike përmendi mundësinë që dy partive që dolën të parat nga zgjedhjet të ju bashkohet edhe një subjekt tjetër.

Ani pse LDK e VV në opozitë patën qenë kritikues të mëdhenj të partive që përbënin koalicionin PAN, tash kur të njëjtat e kanë në dorë krijimin e qeverisë së re bashkëpunimi me ata që në qeverinë e kaluar ishin në pozitë nuk po mohohet.

I pari që përmendi këtë ka qenë lideri i LDK-së, Isa Mustafa që tha javën e kaluar se ka simpati për Fatmir Limajn, e shtoi se do të pranonte një qeveri me të. Kjo në rast se pranon VV-ja, që është parti e parë e dalë nga zgjedhjet, nga votat që janë numëruar deri më tani.

“Kam simpati për Limajn, e vlerësoj si të dijshëm për politikë. Nëse Nisma i merr votat, unë uroj që ta merr. Janë vota tyre, nuk janë tonat. Mbetet çështje e hapur me VV-në a do ta kemi Nismën. Për mua nuk do të kishte problem që ta kemi Nismën në qeveri, por varet edhe nga VV si parti e parë”, tha Mustafa.

Këto deklarata të Mustafës erdhën në kohën kur koalicioni me kandidat Fatmir Limaj po lufton për të kaluar pragun zgjedhor që i siguron pak ulëse në Kuvend të Kosovës. Megjithatë, në rast se ky skenar ndodhë, LDK e VV do ta kenë të pamundur krijimin e qeverisë së ardhshme pa një partner të ri.

Ndryshe nga Mustafa, mundësinë për një subjekt të ri në koalicion nuk po e shqyrtojnë në Vetëvendosje. Këtë temë se kanë diskutuar as në takimin e parë në mes të grupeve punuese.

Në një deklaratë për Gazetën Express nga partia e Kurtit thanë se në këto momente, derisa NISMA vazhdon të qëndrojë jashtë kuvendit, nuk mund të japin përgjigje nëse do ta ftonin për koalicion.

“Ashtu edhe siç u deklarua Glauk Konjufca pas takimit të fundit mes grupeve punuese të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe LDK-së kjo çështje nuk ka qenë në diskutim. Ajo çka aktualisht po diskutohet është bashkërendimi i çështjeve programore sidomos i politikave sektoriale dhe ndërhyrjet që duhet të bëhen në fushat e ndryshme. Nuk mund të japim përgjigje me shumë “nëse’’, aktualisht ky subjekt është jashtë Kuvendit, kur të jemi në rrethana të tjera do të kemi përgjigje në përputhje me ato rrethana”, kanë thënë nga sekretariati për media i VV-së.

Se a do të preferonin hyrjen në qeveri me LDK-në e VV-në nuk po e dinë as në partinë e udhëhequr nga Fatmir Limaj.

Jakup Krasniqi, kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës ka thënë sot për Express-in se e ka parë deklaratën e Mustafës, mirëpo, për këtë ‘ofertë’ ende nuk kanë biseduar në organet e partisë.

“Po, deklaratën e z Mustafa e kemi parë, por nuk kemi biseduar në organet e NISMËS , pasi nuk kemi rezultat zyrtar, ndonëse jemi të bindur se do të jemi pjesë e Kuvendit. Një fjalë e popullit thotë “mos thuaj hopa pa e kapërcyer pengesën”. Zyrtarizmi i rezultatit i bënë me komod partitë politike që janë të gatshme për koalicion”, ka deklaruar Krasniqi.

Sipas rezultateve që janë numëruar deri më tani, LDK e VV arrijnë të krijojnë qeverinë pa ndonjë partner tjetër, duke marrë më shumë se 60 ulëse. Hesapet ndryshojnë nëse koalicioni NISMA-AKR-PD kalon pragun.

Analisti Artan Murati po thotë se është ende herët për të folur për numrin e mandateve, megjithatë, tregon për ndikim që do të kishte kalimi i pragut nga koalicioni me kandidat për kryeministër Fatmir Limajn.

“Ndonëse është ende herët të flitet për ndryshime eventuale në numrin e mandateve të fituara nga subjektet politike, kalimi eventual i pragut nga NISMA-AKR-PD do të kishte ndikim në numrin e ulëseve të fituara nga subjektet tjera”, thotë Murati për Express, teksa shpjegon se kjo do të thoshte se VV e LDK do të kishin nga dy deputetë më pak.

“Sipas të gjitha gjasave, nëse NISMA kalon pragun, VV e LDK do të marrin nga dy deputetë më pak sa do ti kishin me rezultatet aktuale, kurse PDK e AAK do ta humbitnin nga një mandat. Megjithatë, duhet të pritet edhe numërimi i votave me postë, sepse këto vota mund të rrisin diferencës mes VV e LDK, madje duke ja siguruar VV-së edhe një ulëse shtesë”, ka shtuar ai.

Deri në këto momente, koalicioni NISMA-AKR-PD po vazhdon që të mbetet jashtë pragut zgjedhorë duke mos siguruar 5% që i duhet. VV radhitet e para me pak vota diferencë me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.