Kosova

NISMA ka një mesazh për Hasanin

Nisma Socialdemokrate ka komentuar largimin e ish-ministrit Bajram Hasani nga partia e tyre dhe anëtarësimin e tij në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Në një prononcim për “Gazeta Blic”, Kryetarja e Gruas në NISMA-n Socialdemokrate, Valdete Bajrami, ka thënë se kanë mbajtur mbledhje me kryesinë e degës dhe se Nisma në Gjilan është më e fuqishme se kurrë. Ajo ka thënë se kushdo mund të zgjedhë rrugë të tjera dhe ka paralajmëruar aderime të reja në Nisma gjatë javës së ardhshme.

“Dega e Gjilanit është më funksionale se kurrë dhe aderimet e reja veç do t’i shihni në javën që vjen. Kështu që kushdo që i ka zgjedhur rrugët është e drejtë e tyre. Por Nisman ë Gjilan është më e fuqishme se kurrë”, ka thënë ajo për Gazetën Blic.

Ndryshe, muaj më parë Qeveria e Kosovës me kërkesë të Nismës Socialdemokrate ka marrë vendim për të liruar nga detyra ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasanin, i cili më pas ka dhënë dorëheqja nga Nisma dhe ka kaluar në AAK.

Ditëve të fundit kanë qarkulluar informata se koalicioni qeverisës nuk është stabil dhe mund të prishet shpejt. Këtë bindje e ka forcuar edhe më shumë deklarata e deputetit të AAK-së, Muharrem Nitajt i cili tha se pritet që vetë kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, të kalojë në PDK.

Se kanë ndryshuar raportet ndërmejt AAK-së dhe NISMA-s, këtë e thanë mbrëmë edhe zyrtarët e kësaj të fundit. Shefi i Grupit Parlamentar të NISMA-s Bilall Sherifi, tha se nuk janë siç kanë qenë në fillim.