KULTURË

Nisin protestat në Beograd para festivalit “Mirëdita, dobar dan!”

Kanë nisur protestat në Beograd para hapjes së edicionit të shtatë të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, raporton KOHA.

Këtë protestë është duke e mbajtur organizata “Zavetnica”.

Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, ngjarje kjo unike që ka prezantuar skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës në Beograd që nga viti 2014, do të mbahet nga 22 deri më 24 tetor në Beograd.

Organizatorët ditë më parë kanë konfirmuar se këtë vit festivali do të jetë më i shkurtë se edicionet e kaluara për shkak të koronavirusit.

Qëllimi i festivalit është që përmes prezantimit të artistëve dhe performuesëve të cilët përfaqësojnë skenën kulturore e bashkëkohore të Kosovës të bashkon komunitetet shoqërore e kulturore të Kosovës dhe Serbisë dhe të krijohet një traditë bashkëpunimi, që do të kontribuoj në arritjen e një normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve.

Këtë vit, në Qendrën për Dekontaminim Kulturor, festivali “Mirëdita, dobar dan!” do të hapet me shfaqjen teatrore nga Doug Wright të titulluar “Unë jam vetë grua”, me regji të Kushtrim Koliqit, në të cilën Adrian Morina, si aktori i vetëm në skenë, luan më shumë se 30 personazhe duke sjell një histori të një jete tejet të vështirë të një personi transgjinor gjerman – Charlotte von Mahlsdorf, e cila i ka mbijetuar regjimit nazist dhe atij stasi.

Në ditën e dytë të festivalit, publiku do të ketë mundësi të marrë pjesë në debatin “Kosova – trashëgimia e kujtesës” në Qendrën për Dekontaminim Kulturor, si dhe të shohë ekspozitën me të njëjtin titull nga Korab Krasniqi në galerinë “Endžio” në Dobračina.

Në ditën e fundit të festivalit, do të ketë një debat mbi çështjet e drejtësisë tranzicionale në Kosovë dhe institucionalizimin e saj, për të vazhduar me leximin e aktorit Tristan Halilaj të disa pjesëve nga libri i tij “Richard Gere ishte këtu”, një përmbledhje tregimesh.

Ngjarja përmbyllëse e edicionit të këtij viti do të jetë shfaqja e filmit “Shpia e Agës” nga Lendita Zeqiraj, i cili do të jepet në orën 20:30 në Qendrën për Dekontaminim Kulturor.