SHËNDETËSIA

Nisin eksperimentimet: A duhet shpresuar te Avigani?

Pritshmëritë për momentin e kanë një emër. Ai quhet Avigan. Bëhet fjalë për një ilaç japonez, për të cilin po flitet shumë, sidomos në Itali, pasi videoja e një biznesmeni roman u bë virale.

A e lufton ky ilaç koronavirusin?

Kjo çështje u diskutua të hënën edhe nga Agjencia Italiane e Ilaçeve, AIFA.

Në fund të diskutimeve është vendosur nisja e eksperimentimit me këtë ilaç, raporton Corriere della Sera. Ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza tha se do pritet të shihet efekti i ilaçit në fazat e para të sëmundjes.

Kanë qenë drejtuesit e dy rajoneve më të prekur në Itali, Luca Zaia dhe Attilio Fontana që kanë bërë presion që të nisë përdorimi i këtij ilaçi. Ata janë shprehur entuziastë.

Por e thënë shkurt, vetë AIFA italiane nuk është shumë entuziaste. Ata hodhën ‘ujë të ftohtë’ mbi pritshmëritë, duke thënë se nuk ka studime klinike për efikasitetin e ilaçit në trajtimin e Covid-19.

“Është një antiviral që është autorizuar në Japoni prej marsit 2014 për të trajtuar format e gripit të shkaktuara nga viruset e rinj ose viruset e ridalë në qarkullim. Ai përdoret zakonisht kur antiviralët e tjerë nuk funksionojnë. Ky ilaç nuk është i autorizuar në Europë dhe SHBA,” thonë autoritetet.

Sa u përket përdorimit në Covid-19, të vetmet të dhëna vijnë nga një studim i vogël te pacientët me koronavirus, por në gjendje të lehtë. Në këto testime, ilaçi u kombinua me antiviralët lopinavir/ritonavir.

Edhe pse ka disa të dhëna se ilaçi japonez ka një aktivitet në zhdukjen e virusit në gjak, të dhënat e plota për efikasitetin në përdorimin klinik mungojnë.

Edhe videoja është e diskutueshme, pasi ajo flet për diçka që po mbahet fshehur nga popullsia në Itali. Ekspertët thonë se kur thuhet se është kurues në masën 91 përqind, kjo duhet të shihet diku e shkruar në literaturë shkencore.

Antiviralë që mendohet se janë më efektivë se ilaçi japonez janë duke u testuar ndërkohë.