Kosova

Nishani: Nëse Shqipëria tenton të zëvendësojë autoritetet e Kosovës në dialog, i shërben Serbisë

Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka thënë se tezat që flasin për ridefinim kufijsh në Ballkan nuk janë në interes të shqiptarëve.

Nishani thotë se shqiptarët janë për projektet perëndimore dhe dëshirojnë paqe.

Ai thotë se çdokush në Kosovë që e merr përsipër dialogun duhet ta përmbyllë në harmoni me mandatin që e ka marrë nga qytetarët.

“Në këtë rast është Albin Kurti…Ai e ka marrë mandatin dhe kjo çështje [dialogu] shkon përmes sjelljes institucionale”, ka deklaruar Nishani në emisionin “Kojshia Show”.

“Unë mendoj se do të ishte gabim nëse Shqipëria tenton të zëvendësoj autoritet e Kosovës në këtë proces. Është një shërbim që do t’i shkonte Serbisë”.

Nishani thotë se në kohën kur ka qenë në krye të shtetit Shqiptar ka kritikuar Qeverinë Rama për tentim anashkalimi të institucioneve të Kosovës në lidhje me dialogun me Serbinë.