Kosova

Nisen hapa për vlerësim të veçantë të Zbatimit të Ligjit në Trafik

Me inicim të Ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Bejtush Gashi sot u mbajt takimi i rradhës i Këshillit për Siguri në Trafikun Rrugor.

Në këtë takim ministri Gashi bëri të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me programin ICITAP është duke punuar në implementimin e një Vlerësimi të Veçantë të Zbatimit të Ligjit në Trafik me qëllim të identifikimit të saktë të shkaqeve në trafik, marrjes së masave dhe veprimeve përkatëse si dhe parandalimit më efikas të aksidenteve në trafik.

Ai tha se për implementimin e suksesshëm të këtij vlerësimi nevojitet që Policia e Kosovës së bashku me ekspertët inxhinier të infrastrukturës rrugore dhe ekspertët tjerë, fillimisht të trajnohen dhe më pas të bashkëveprojnë ngushtë mes vete.

“Si Ministër i Punëve të Brendshme dëshiroj të shpreh shqetësimin tim për gjendjen aktuale të sigurisë në trafikun rrugor, referuar numrit të aksidenteve në trafikun rrugor përfshirë këtu një numër të konsiderueshëm të aksidenteve me fatalitet. Duke iu referuar situatës aktuale lidhur me aksidentet në trafik dhe pasojat e tyre, Ministria e Punëve të Brendshme përmes Policisë së Kosovës ka marrë masa serioze shtesë, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë, parandalimin e aksidenteve të trafikut dhe zbatimin e ligjshmërisë në funksion të menaxhimit dhe kontrollit të trafikut rrugor. Për këtë qëllim Policia e Kosovës nga data 24 korrik 2018 ka themeluar “TASK FORCËN” për parandalimin e aksidenteve në trafikun rrugor”- tha ministri Gashi.

Gjithashtu, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, numri i përgjithshëm i aksidenteve gjatë periudhës Janar – Qeshor 2018 krahasuar me numrin e përgjithshëm të aksidenteve gjatë periudhës së njejtë të vitit të kaluar, është më i vogël për (-)13.25%. Për periudhën e njejtë krahasuese, edhe numri i aksidenteve me fatalitet ka shënuar rënie prej (-)19.61%. Poashtu edhe numri i aksidenteve me dëme materiale ka shënuar rënie për (-)20.65%. Ndërsa numri i aksidenteve me lëndime trupore ka shënuar ngritje prej (+)0.46%.

Ndërsa ministri i Infrastukturës, z. Pal Lekaj tha se aksidentet në komunikacionin rrugor paraqesin brengë serioze të të gjitha institucioneve dhe qytetarëve në Republikën e Kosovës.

“Përvoja ndërkombëtare ka treguar se pa renditjen e sigurisë rrugore si prioritet i lartë dhe pa koordinim të të gjitha institucioneve nuk mund të kemi sukses në luftën kundër aksidenteve rrugore”- deklaroi ministri Lekaj.

Në fund të takimit ministri Gashi, vlerësoj lartë rolin e Këshillit për Siguri në Trafikun Rrugor. Rrjedhimisht konfirmoj se MPB mbetet e përkushtuar të kontribuojë në rritjen e sigurisë së qytetarëve në trafikun rrugor, duke bashkëpunuar ngushtë me të gjithë partnerët institucional kompetent dhe përgjegjës në këtë fushë. /Kosova.info/