KULTURË

Nis puna për restaurimin e urës së Kasabashit në Çorovodë

Ka nisur puna për restaurimin e Urës së Kasabashit në Çorovodë, si një nga monumentet më të rëndësishëm të qarkut të Beratit në gjininë e ndërtimeve inxhinierike.

Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat, Eugen Kallfani u shpreh se, “nga projekti në letër tashmë në realizimin e restaurimit. Më në fund përkujdesemi për një nga monumentet më të rëndësishëm në qarkun e Beratit në gjininë e ndërtimeve inxhinierike”.

Ura e Kasabashit gjendet në afërsi të qytetit të Çorovodës në rrethin e Skraparit. Ura e Kasabashit futet në tipologjinë e urave simetrike me tre qemerë me kurriz dhe me dritare shkarkuese.

Nëpër këtë monument kalonte rruga e karvaneve Berat-Skrapar-Korçë. Mendohet që ura të jetë një vepër e arkitekt Kasëmit nga fshati Grëmsh, kjo mund të hamendësohet edhe nga emërtimi i urës (Kasabash-mjeshtër Kaso-Kasëmi).

Qemeri qëndror i cili ka një vëllim më të madh paraqitet me nje konstruksion me majë të mprehtë me hapësirë drite 12 m, ndërsa dy qemerët anësorë janë më të vegjël në vëllim dhe kanë formë gjysmërrethore.

Qemeri kryesor sipër konturohet nga një kornizë guri 5 cm të trashë. Edhe dritaret shkarkuese ashtu si edhe qemerët anësorë janë ndërtuar në formë gjysmërrethore.

Muret ballorë janë ndërtuar me gurë lumi dhe mali të zinj në formë pllake me trashësi 10-12 cm me gjatësi jo më shumë se 25 cm, ndërsa fugat midis gurëve janë shumë të theksuara. Në njërin krah mbi urë hipet mbi një platformë të drunjtë. Ura e Kasabashit nga teknika e ndërtimit duhet t’i përkasë shekullit XVII.

Leave a Reply

Your email address will not be published.