KULTURË

Nis programi i Qendrës “Libart”

“Letërsia ime  nuk është argëtuese, kjo është letërsi e vështirë, është letërsi që synon të zbulojë të fshehtat e jetës dhe botës.”

Me diskutimet e larmishme mbi dimensionet e gjuhës, kuptimet e letërsisë dhe gjendjen socio-politike në vendin tone, Qendra për Edukim dhe Kulturë “Libart”  mbrëmë nisi aktivitetin e saj të parë që ishte takimi me shkrimtarin z. Mehmet Kraja.

Lëvizjet nga  një vend në tjetrin dhe ndikimi i tyre në formësimin e personalitetit të tij?; Ligji për mbrojtjen e gjuhës dhe rishikimi i saj?; Dokumentimi dhe ruajtja e memories kolektive?; Përmbushja që ia ka dhuruar letërsia?; Kritika ndaj orientalizmit?; Raportet Kosovë-Serbi?; ishin disa nga temat e takimit përgjigjet e të cilave u dhanë një natë më parë nga z. Kraja.

Për z. Kraja bota shqiptare është  e vogël në esencë, prandaj lëvizjet e tij nëpër qytete të ndryshme në trevat shqiptare kanë ndikuar që ai t’i njoh gjuhën, zakonet, kulturën dhe mentalitetin në trojet shqiptare. Përderisa u shpreh që kjo ka ndikuar që ai të shkruaj qoftë në gjuhë standarde, në dialektet toskë e gegë apo edhe në dialektin e Kosovës.

Sa i përket gjuhës standarde, shkrimtari i mirënjohur u shpreh se standardi duhet të mësohet.

“Standardi është një dhe i pandryshueshëm, sepse është marrëveshje, shqiptarët janë marrë vesh në një moment të caktuar  për shkaqe kulturore, politike, në fakt kryesisht për shkaqe kulturore – që të vendosin një gjuhë të përbashkët, një standard”

Ndërsa, rreth ligjit për mbrojtjen e gjuhës, z. Kraja tha që në Kosovë kushtetuta nuk e lejon një gjë të tillë, por që së bashku me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë, po punojnë që t’i absorbojnë ndryshimet që ka pësuar gjuha shqipe ndër vite.

Lidhur më këtë qëndrim, Shefket Bujari, pjesëmarrës në takim pyeti se sa mund të ngrehet paralele mes Kosovës dhe Moldavisë në tendencat për t`i ikur standardit, kësisoj duke krijuar një identitet të ri larg nga shteti amë. A po e pret Kosovën një fat i ndarjes në të ardhmen si populli rumun dhe moldav?

E për këtë z. Kraja u përgjigj se procesi i formësimit të kombeve ka përfunduar dhe ai nuk mund të riniset përsëri.

“Kosova ka qenë e përfshirë në të gjitha zhvillimet politike e historike të cilat e kanë krijuar popullin shqiptar. Kosova e ka përfunduar procesin e kombëtarizimit.” 

Pyetjes për ruajtjen dhe dokumentimin e memories kolektive, z. Kraja iu përgjigj dukë thënë se Kosova nuk ka memorie të regjistruar apo të shënuar.

“Ne themi Kosova i ka 10 mijë e 793 metra katror, ne nuk kemi se ku të referohemi që ta themi këtë, pra na mungon një data bazë universale për të gjitha të dhënat, për të gjitha shënimet. Fjalori Enciklopedik ka bërë një përpjekje për ta krijuar këtë bazë.”

Afër një vit më parë, z. Kraja u zgjodh kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK), prandaj pashmangshëm nga audienca linden pyetje edhe për gjendjen politike aktuale në vendin tonë.

Adrian Berisha nga Komuna e Prishtinës ngriti pikëpyetjen se a konsultohen qeveritë me Akademinë e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës rreth çështjeve të rëndësishme politike dhe sociale në Kosovë?

Z. Mehmet Kraja  tha se askush nuk e kërkon mendimin e AShAK për asgjë.

Ndërsa për bisedimet Kosovë-Serbi, ai tha se urgjenca e vetme e shtetit të Kosovës në këto momente është ballafaqimi me pandeminë COVID-19, dhe se Kosova nuk ka urgjencë t`i zhvillojë tani bisedimet me Serbinë, ndërsa sipas z. Kraja kjo i hyn vetëm Serbisë në punë.

Për më tej, kryetari i AShAK shtoi se 32 e marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë, e që sipas tij janë 38-39 gjithsej, janë arritur vetëm sepse Kosova ka lëshuar pe.

“Rezultate nuk ka, janë disa marrëveshje që dihet si janë nënshkruar, janë nënshkruar me ndërmjetësimin e BE-së, ato marrëveshje në esencë janë arritur vetëm se Kosova ka lëshuar pe, se s`ishin bë hiç.”

Para katër vitesh z. Kraja ua kishe dërguar një letër të hapur muslimanëve të Facebook-ut, siç i quante ai. Për këtë çështje, nga audienca erdhi pyetje se sa i shërben kulturës  diferencim i dy skajeve, oksidentit dhe orientit në përgjithësi?

Ndër të tjera, z. Kraja u shpreh se institucionet e shtetit nuk përzihen me fe, feja e ka vendin e vet, punën e vet, merret me jetën shpirtërore të besimtarëve nuk merret me të mirat materiale. Fetë te ne merren me gjithçka, ne duhet të themi qartë se Kosova është shtet laik që nuk i nënshtrohet asnjë lloj feje, veçmas krijimit të një republike islamike eventuale. Sipas tij, katedralja dhe në anën tjetër xhamia që po ndërtohet janë politike dhe manipuluese. 

Mehmet Kraja, shkrimtar dhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ishte mysafiri i parë i aktivitetit “Takime me Shkrimtarë”,  që do të pasohet  gjithashtu me emra të tjerë të njohur  të letërsisë shqiptare.

Ky takim është organizuar me leje dhe në bazë të rekomandimeve nga Qendra Operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Shtabi i Prishtinës për menaxhimin e çështjeve që ndërlidhen me pandeminë.

Qendra për Edukim dhe Kulturë “Libart”, mundësohet nga Komuna e Prishtinës, organizata ETEA dhe biblioteka “Hivzi Sulejmani”./Kosova.info/

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483