Kosova

Nga Vetëvendosje: Pozita e Konjufcës nuk do të lëkundet

Marrëveshja e koalicionit qeverisës (i ashtuquajtur i shpresës), ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike, është ende larg së realizuari.

Lëvizja Vetëvendosje nuk lëkundet nga qëndrimi i saj se oferta e LDK-së është e papranueshme dhe se Glauk Konjufca nuk largohet nga pozita e kryeparlamentarit. Në anën tjetër, as LDK-ja nuk është e gatshme të lëshojë pe sa i përket propozimit të saj për ta marrë pozitën e kryekuvendarit. Me ngulm partia e Isa Mustafës po kërkon pushtet të balancuar, ani pse në zgjedhje ka dalë e dyta

Pavarësisht ofertave e kundërofertave, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk kanë arritur ta bindin njëra-tjetrën për bashkëqeverisje. Tëdyja palët nuk po zmbrapsen nga qëndrimet e tyre për bërjen e qeverisë, ani pse kanë kaluar gati 4 muaj nga zgjedhjet. Përmes ofertës së fundit LDK-ja ka kërkuar nga Vetëvendosja ta shkarkojë nga posti i kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufcën dhe me pozitën e tij të udhëheqë dikush tjetër nga LDK-ja deri në zgjedhjen e presidentit, shkruan gazeta “Zëri”.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, e ka dhënë edhe njëherë tjetër qëndrimin e partisë se kërkesa e LDK-së për largimin e Glauk Konjufcës nga pozita e kryekuvendarit është e paarsyeshme dhe nuk meriton as të shqyrtohet. 

Sipas saj, zgjedhja e Konjufcës si kryetar Kuvendi ështëbërë në mënyrë kushtetuese dhe çdo kërkesë për ta kthyer prapa këtë vendim është jodemokratike.

 “Çdo kërkesë për kthim prapa është shkelje e parimit të demokracisë, cenon vullnetin e deputetëve dhe godet që në fillim betejën për mënyrën e ndryshimit të qeverisjes, për çfarë morëm mandatin nga qytetarët e vendit. Andaj është e padrejtë,edhe e papranueshme, kërkesa për dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit. Nuk ka asnjë arsye serioze dhe parimore pse duhet të shqyrtohet një kërkesë e tillë”, ka potencuar ajo.

Sipas Nagavcit, kushti i LDK-së për largimin e Konjufcës është i pakapërcyeshëm dhe se Lidhja Demokratike nuk duhet t’i bëjë presion LVV-së me interesa të tilla partiake.

“Me LDK-në duhet të shtojmë e të forcojmë bashkëpunimin, të rrisim besimin, ashtu që të përballojmë me sukses presionin, të cilin mund ta kemi përballë luftimit të krimit e të korrupsionit përballë proceseve të rëndësishme që do t’i kemi, duke parë gjithmonë interesin më të mirë të Republikës së Kosovës. Nuk është rruga e duhur që të bëjmë presion tani duke vendosur kushte të pakapërcyeshme, duke vënë interesat partiake mbi interesat e vendit”, ka pohuar ajo./Zëri