Gjeopolitikë

Nga Valbona Zeneli dhe Cameron Munter: Ballkani dhe konkurrenca gjeopolitike

Në epokën e konkurrencës së fuqive të mëdha, Kina dhe Rusia po luajnë një rol të ri në Ballkanin Perëndimor.

Jo më larg se dy dekada më parë, kur fuqitë europiane, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, propozuan një të ardhme perëndimore për rajonin, duke marre pak ose aspak në konsideratë ndikimet e jashtme. Që nga ato ditë, një vakum është zhvilluar në Ballkan, ndërsa fuqitë perëndimore përqendroheshin në sfida të tjera, duke supozuar se vendet e rajonit do të përparonin dhe zhvilloheshin dhe ekonomitë e tyre natyralisht do të konvergjonin me standardet europiane dhe përfundimisht gjithë rajoni do të anëtarësohej në Bashkimin Europian. Sllovenia dhe Kroacia janë bashkuar me të vërtetë me BE-në, por pjesa tjetër e rajonit është bllokuar. Lojtarë të tjerë të jashtëm kanë shfrytëzuar këtë mundësi për të ndjekur iniciativat dhe interesat e tyre ne rajon.

Është e rëndësishme të kuptohet dhe kontekstualizohet siç duhet fushëveprimi i ambicieve ruse dhe kineze në rajon. Rusia ka qenë në mënyra të ndryshme gjithmonë e pranishme në rajon. Ballkani është i rëndësishëm për Kremlinin, i parë si një objekt i mundshëm negocimi, një mënyrë e lehte për të fituar pikë ndërkombëtarisht, por pa pasur nevojë për investime domethënëse apo përpjekje të tjera. Kremlini kërkon, mbi të gjitha, një vend në çdo tryezë ku diskutohen çështjet rajonale. Mënyra e saj për të tërhequr vëmendjen është duke u përpjekur për të prishur procesin e integrimit në NATO dhe BE, duke shkaktuar kështu shqetësime në kryeqytetet perëndimore. Me pak shpenzime financiare, Rusia përfiton influencë politike në rajon, duke nxitur ndarje politike dhe tensione sociale, dhe, më keq akoma, duke kultivuar cinizëm për institucionet demokratike dhe euroatlantike.

Qasja e Kinës është më e kamufluar se ajo e Rusisë, por efekti i ambicieve të saj mund të jetë më domethënës. Pekini kërkon të përdorë rajonin si një platformë tregtare hyrëse për në Europën Perëndimore, ku qëndrojnë edhe interesat e vërteta kineze. Përkundër disa mundësive të pakta, që tregu i rajonit u ofron investitorëve kinezë, pesë vendet e Ballkanit Perëndimor (Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja dhe Hercegovina, Kosova nuk përfshihet, pasi nuk është njohur nga Kina) janë përfshirë në platformën “17+1”, një grupim rajonal i krijuar nga Kina për të ndihmuar përshpejtimin e iniciativës së saj Belt and Road (Rrip dhe Rrugë) në Europë. Përfshirja kineze është e nxitur sa nga objektivi madhor për të pasur ndikim gjeopolitik në rajon dhe në Europë, aq edhe nga konsideratat e veta të brendshme (dumping të tepricave të kapitalit, punës dhe lëndëve të para drejt vendeve më të varfra).

Plaga e Ballkanit Perëndimor, i cili ofron një ambient të dobishëm për interesat kineze dhe ruse, buron nga procesi i pafund i tranzicionit. Rajoni ka qenë kryesisht paqësor në dy dekadat e fundit, megjithatë ai mbetet në përgjithësi i përfshirë nga mosfunksionimi. Sipas të dhënave të Barometrit të Ballkanit, shqetësimet kryesore që pllakosin rajonin janë papunësia (60 për qind e të anketuarve), vështirësitë ekonomike (47 për qind) dhe korrupsioni (27 për qind). Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, në vitin 2019, mesatarja e të ardhurave për frymë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor ishte vetëm 14 për qind e mesatares së BE-së, pothuajse e njëjta përqindje si në vitin 2003. Sipas parashikimeve të tanishme për rritjen ekonomike, rajonit do t’i nevojiten midis 70 dhe 100 vite për të kapur mesataren e të ardhurave europiane. Shkalla e papunësisë rajonale, me 19 për qind, është pothuajse tri herë më e lartë se mesatarja e BE-së. Si rezultat, njerëzit po largohen, të tërhequr nga mundësitë e punësimit dhe përfitimet gjeneroze sociale në Europën Perëndimore. Remitancat përbëjnë mesatarisht 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të rajonit. “Largimi i trurit”, në veçanti të të rinjve dhe më të talentuarve, përkeqëson një mungesë, tashmë të mprehtë të punëtorëve të aftë, duke shtuar më tej problemet për ekonomitë e rajonit.

Për t’i përkeqësuar gjërat edhe më shumë, elitat lokale shpesh kanë ndjekur idetë e integrimit euro-atlantik pa një përkushtim domethënës ndaj vlerave thelbësore liberale demokratike. Në fakt, influenca ruse dhe kineze ka mundësuar që disa politikanë rajonalë – më së shumti Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, dhe udhëheqësi serb i Bosnjës, Milorad Dodik – “t’i vënë të huajt kundër njëri-tjetrit”, për të arritur qëllimet e tyre të brendshme politike. Disa vëzhguese politikane perëndimorë priren t’i kushtojnë më tepër vëmendje liderëve lokalë, kur këta të fundit afrohen shumë me “mbrojtësit” (patronë) e tyre rusë dhe kinezë, dhe të njëjtët udhëheqës të Ballkanit e kanë kuptuar tashmë këtë tendencë. Për fat të keq, kjo shpesh çon në përfundimin që perëndimorët “të mos shikojnë” rrëshqitjen demokratike dhe manifestimet e tjera të autoritarizmit në rajon. Për këto arsye, aktivistët lokalë të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut “zhgënjehen” nga mbështetja perëndimore për “stabilokratët” në pushtet. Kështu, rajoni është i dominuar nga institucione të dobëta, vazhdimisht të mbizotëruara nga liderë të fortë, që sundojnë përmes rrjeteve të tyre të patronazhit – një recetë që nxit korrupsionin, një problem i vazhdueshëm në rajon.

Për sa i përket tregtisë me Ballkanin Perëndimor, prania ruse dhe kineze është mjaft e kufizuar, veçanërisht kur krahasohet me atë të BEnë. Në vitin 2018, BE-ja përbënte rreth 72 për qind të vëllimit të tregtisë në rajon (84 për qind të eksporteve të saj dhe 64 për qind e importeve). Ndikimi i Kinës është rritur, duke u bërë partneri i dytë më i madh tregtar, me 5.8 për qind të tregtisë së përgjithshme (tregti e theksuar thellë në favor të Kinës). Pothuajse gjysma e këtij vëllimi është me Serbinë, partnerin strategjik të Kinës në rajon. Rusia është partneri i tretë më i madh tregtar, që përbën 4.7 për qind të tregtisë së përgjithshme. Dy partnerët e tjerë kryesorë janë Turqia (4.2 për qind) dhe Shtetet e Bashkuara (2 për qind).

Investimet ruse në Ballkanin Perëndimor janë të ulëta në krahasim me vendet e BE-së, të cilat përbëjnë më shumë se 70 për qind të totalit të investimeve të huaja direkte (IHD). Megjithatë, nëse do të konsideroheshin investitorët më vete, Rusia mbetet një aktor i rëndësishëm, dhe, mbi të gjitha, investimet e saj janë të përqendruara në sektorë strategjikë, siç janë energjia, bankat dhe pasuritë e paluajtshme. Serbia, Bosnja-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut varen nga Rusia për përmbushjen e 100 për qind të kërkesës së tyre për gaz natyror. Rusia është gjithashtu investitori më i madh në Mal të Zi, duke përbërë 13 për qind të IHD-ve të ekonomisë, që arrijnë deri në 30 për qind të PBB-së të vendit. Në Serbi, investimet ruse përbëjnë 9 për qind të totalit të IHDve, dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, 8 për qind. Në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë, investimet ruse mbeten shumë të ulëta, por është e rëndësishme të mbahet parasysh se disa investime të tilla mund të kalojnë pa u vënë re, pasi mund të vijnë përmes vendeve të tjera europiane ose parajsave fiskale.

Investimet kineze (duke përfshirë të gjitha kontratat) në Ballkanin Perëndimor, tashmë përbëjnë 20 për qind të stokut të përgjithshëm të IHD-ve të rajonit, me Serbinë që kryeson. Forma kryesore e bashkëpunimit ekonomik kinez në rajon është huadhënia për projektet e infrastrukturës të lidhura me Belt and Road Initiative. Më shume se 80 për qind të atyre që konsiderohen investime kineze në rajon, janë kredi. Mali i Zi, për shembull, i detyrohet tashmë Kinës për pothuajse 40 për qind të borxhit të vet sovran. Kina ka përdorur “paratë e lehta” dhe pushtetin e saj të butë (përmes nismave te ndërtimit të besimit, shkëmbimeve kulturore, pranisë mediatike dhe instituteve Confucius) për të fituar ndikim të shpejtë në rajon. Pekini ka përfituar nga kërkesat urgjente për ndërtimin dhe rinovimin e infrastrukturës, shoqëruar me praktikat “e kollajshme” ligjore dhe të prokurimit publik, si dhe standardet e dobëta të punës.

Përqendrimi vetëm te shifrat ekonomike, sidoqoftë, nuk e jep të plotë pamjen në rajon, në të cilën shohim një zhvendosje për sa i përket pushtetit të butë “soft power” të aktorëve të ndryshëm. Serbia është partneri dhe baza kryesore (hub) si për Rusinë, ashtu edhe Kinën në Ballkanin Perëndimor. Bazuar në perceptimet e lidhjet kulturore dhe historike, më shumë se 72 për qind e popullsisë në Serbi është në favor të lidhjeve edhe më të forta me Rusinë. Beogradi zyrtar ka nënshkruar edhe një Marrëveshje të Tregtisë së Lirë me Bashkimin Ekonomik Euroaziatik (Euroasian Economic Union). Kina shihet në Serbi si partneri i dytë më i besueshëm ekonomik. Ndërsa aderimi në BE shihet pozitivisht nga më pak se një e treta e popullsisë serbe.

Në të vërtetë, në të gjithë Ballkanin Perëndimor, perceptimi publik ka lëvizur në vitet e fundit më në favor të Kinës. Arsyeja kryesore ka qenë apeli i “modelit të zhvillimit” të Pekinit dhe idetë se flukset e mëdha të kapitalit do të sillnin zhvillim dhe pasuri të qëndrueshme (në vend të borxheve).

Pandemia aktuale ka ndihmuar gjithashtu në ngatërrimin e mëtejshëm të perceptimeve popullore.

Në fushatat e ndryshme të dezinformimit, Bashkimi Europian është përshkruar se i ka “kthyer shpinën” rajonit, ndërsa Kina dhe Rusia janë portretizuar si aktorë të përgjegjshëm. Në Serbi, veçanërisht, është zhvilluar ideja se Kina është partneri i vërtetë i vendit në rast nevoje, përkundër faktit se BE-ja po planifikon një plan asistence për rajonin prej më shumë se 412 milionë euro.

Me gjithë angazhimin e madh e solid ekonomik dhe demokratik për rajonin, Perëndimi ka marrë në vitet e fundit “goditje” në luftën për prestigj dhe mbështetje popullore. Atëherë, çfarë mund të bëhet në të ardhmen?

Një pjesë e përgjigjes është vazhdim “më fort i së njëjtës gjë” (more of the same). Me gjithë pengesat e hasura në vitet e fundit, Europa mbetet ylli polar për rajonin. Shumica e njerëzve të thjeshtë vazhdojnë të inkurajojnë fëmijët e tyre të mësojnë anglisht, gjermanisht apo frëngjisht dhe të emigrojnë në Berlin, Vjenë, Londër, Paris apo edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës; pak veta i dërgojnë fëmijët e tyre në Moskë ose Pekin. Pasja e “miqve” kinezë dhe rusë mund të jetë shumë tërheqëse për disa udhëheqës politikë në rajon, por ka ende një rezervuar të thellë të përkatësisë kulturore për Europën për qytetarët e rajonit, që do të duhet kohë e gjatë që të ndryshojë e të marrë drejtime të tjera.

Integrimi në BE për vendet e rajonit mbetet kështu qëllimi kryesor për votuesit. Nga ana tjetër, “lodhja nga zgjerimi” të disa vendeve anëtare të BE-së dërgon një sinjal të keq në rajon dhe u vjen “në ndihmë” politikanëve të korruptuar vendës, të cilët janë shumë të etur për të mos vazhduar reformat e dhimbshme demokratike. Vendimi i fundit i BE-së për të hapur përfundimisht bisedimet e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, pasi procesi u bllokua nga Presidenti francez, Emmanuel Macron, tetorin e kaluar, është një zhvillim i mirëpritur.

Tani, detyra është të shtyhet edhe më fort në drejtim të reformave. Procesi i rishikuar i zgjerimit (i cili ishte edhe çmimi i Francës për të rënë dakord për hapjen e bisedimeve të pranimit) është krijuar, me të drejtë, për të kufizuar manovrat e “lojës” me reformat dhe për të ndëshkuar çdo lloj kthimi mbrapa në këtë rrugë. Europianët duhet të përdorin këto mjete menjëherë, duke aplikuar një presion serioz mbi elitat ballkanase, pa frikë se “humbasin” këto vende ndaj rivalëve. Në të vërtetë, angazhimi më i fortë perëndimor për monitorimin e çështjeve themelore e të vlerave demokratike do të rriste pushtetin e saj të butë “soft power” midis votuesve të rajonit.

Edhe në skenarin më të mirë, aderimi i plotë i vendeve të rajonit në Bashkimin Europian do të zgjasë shumë vite. Kështu, Perëndimit do t’i nevojitet një strategji e përkohshme për zhvillimin dhe përmirësimin e mundësive ekonomike në rajon. Duhen gjetur sinergji midis përpjekjeve ekzistuese, të tilla si Procesi i Berlinit i udhëhequr nga Gjermania, apo nisma të reja amerikane si Iniciativa e Tri Deteve (Three Seas Initiative), në të cilën Ballkani do duhej të përfshihej në të ardhmen. Çdo përpjekje e ardhshme transatlantike duhet të përqendrohet në ndërtimin e prosperitetit ekonomik në rajon. Uniteti midis fuqive perëndimore është gjithashtu kritik për të ardhmen e rajonit. Për shembull, administrata e Presidentit Trump po konsideron një paketë ekonomike, me të cilën shpreson të tërheqë Serbinë dhe Kosovën për të arritur një marrëveshje për paqen. Aleatët europianë duhet të jenë të dakordësuar me ata amerikanë për çdo iniciativë. Çdo mosmarrëveshje perëndimore do të ishte recetë dështimi në Ballkan.

Perëndimi gjithashtu duhet të mbështesë çdo përpjekje për integrimin ekonomik rajonal. Si rezultat i krizës COVID-19, është e mundur që rrjetet e globalizuara të prodhimit dhe transportit mund të rishikohen dhe ridimensionohen. Nëse do të ndodhte kjo, do të shfaqeshin mundësi të arta ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor, ashtu siç ndodhi me vendet e Vishegradit në fillim të viteve 1990. Për të shfrytëzuar një mundësi të tillë, rajoni duhet të fillojë të ndërmarrë hapat tani, duke ulur barrierat tarifore dhe jotarifore, si dhe duke lehtësuar rregullat e lëvizjes dhe të punësimit. Vendet e rajonit janë shumë të vogla e të dobëta financiarisht dhe institucionalisht për të garuar ndërkombëtarisht më vete. Ndërsa të marra si bllok, ato mund të dëshmojnë se janë një destinacion tërheqës për kompanitë europiane, kur ato të rivlerësojnë zinxhirët e tyre globalë të furnizimit.

Ndërsa liderët perëndimorë po u përgjigjen kërkesave të menjëhershme të pandemisë, është tamam koha që ekspertët e Ballkanit në Europë dhe Amerikë të mendojnë në mënyrë strategjike se si mund të jetë rajoni ne realitetin e paskrizës pandemike dhe ekonomike. Është një mundësi unike për të krijuar një të ardhme më të mirë për Ballkanin Perëndimor, në vend që të qëndrojmë dhe të shikojmë se si tendencat shqetësuese zhvillohen me më shumë vrull në rajon. Mesazhi i Presidentes së Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, gjatë samitit virtual të Zagrebit – se “Ballkani Perëndimor i përket BE-së” – është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur.

*Botuar tek “The American Interest” Dr. Valbona Zeneli është profesore dhe drejtore e Departamentit të Iniciativave Strategjike në Qendrën Europiane të Studimeve të Sigurisë, “George C. Marshall” (Marshall Center) Cameron Munter është diplomat dhe akademik amerikan. Ai ka shërbyer si ambasadori i SHBA-së në Serbi dhe Pakistan, si dhe drejtor i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.