EKONOMI

Nga Thesari i Kosovës/ Procedurat përmes të cilave u vodhën dy milionë euro

Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike ministrja Bajrami ka treguar detaje për transaksionet.

Janë mbledhur për të diskutuar gjetjet e raportit vjetor të Auditimit për vitin 2019.

Por në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, dikush ka një informacion më të rëndësishëm për të komentuar.

Në komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ministrja Hykmete Bajrami ka treguar detaje rreth asaj që po cilësohet si vjedhja e vitit.

Ajo tha se posa janë njoftuar për transaksionet në Thesar në vlerë prej më shumë se dy milionë euro, kanë njoftuar menjëherë Policinë e Kosovës.

Për ta realizuar këtë krim kibernetik, të dyshuarit kanë thyer disa fjalëkalime për të bërë transaksionin.

Mirëpo gjithçka që të dyshuarit kanë bërë, është e verifikueshme. Bajrami tha se për realizimin e këtyre transaksioneve, nuk është shfrytëzuar asnjë nënshkrim i saj e as i drejtorit të thesarit.