Kosova

Nga e dëmshme në domosdoshmëri. Si ndryshoi qëndrim PSD’ja për Autostradën e Dukagjinit

Brenda një muaji, Partia Socialdemokrate, në krye me Shpend Ahmetin, ka ndërruar qëndrim lidhur me ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit. Në fillim e kishin quajtur shpenzim pa nevojë dhe me pasoja të mëdha për shtetin, por pas lidhjes së koalicionit me partinë e Ramush Haradinajt kanë vendosur që të përkrahin këtë projekt. Gazeta Express ka biseduar me zyrtarë të PSD’së, të cilët kanë treguar arsyet se pse ndërruan qëndrim

Arjeta Shabani

Partia Socialdemokrate i ka zbutur fjalët për Autostradën e Dukagjnit, pas lidhjes së koalicionit me partinë e Ramush Haradinajt.  

Madje, tash zyrtarë të kësaj partie po thonë se ndërtimi i kësaj autostrade është domosdoshmëri zhvillimore për rajonin perëndimor të vendit. 

Zëdhënësja e PSD’së, Natyra Kuqi, i ka thënë Gazetës Express se angazhimi primar i tyre për këtë projekt do të jetë ndihmesa në hartim të një koncepti efikas dhe të një kostoje të përballueshme financiare për ndërtimin e saj, në mënyrë që të mos rëndohet buxheti. 

“Për PSD-në, Autostrada e Dukagjinit kuptohet domosdoshmëri zhvillimore për rajonin perëndimor të vendit. Tash e 20 vjet, ky rajon (Prizren-Gjakovë-Deçan-Pejë-Istog) është anashkaluar tërësisht në projektet e shtrenjta dhe të keqmenaxhuara insfrastrukturore (veçanërisht, projektet Prishtinë-Pejë dhe Prishtinë-Mitrovicë)”, ka thënë Kuqi. 

Deklaron se me këtë autostradë do të përmbyllet cikli i gjatë i modernizimit të infrastrukturës së transportit brenda vendit.

“Racionalizimi i kostos së ndërtimit dhe financimi i diversifikuar do të jetë përqëndrimi ynë kryesor. Përmes saj, përmbyllet cikli i gjatë i modernizimit të infrastrukturës së transportit brenda vendit, por edhe ndërlidhja efikase dhe e shpejtë në nivelin rajonal”, ka thënë Kuqi për Express.

Por, nuk ishte ky qëndrimi që e kishte Partia Socialdemokrate edhe para rreth një muaji. Në atë kohë, ky projekt ishte cilësuar nga ta si i pamenduar mirë dhe me pasoja të mëdha për shtetin.

Ishte pikërisht zëdhënësja e PSD’së, Natyra Kuqi, e cila i kishte thënë Gazetës Express se ky projekt është i pamenduar mirë, meqenëse nuk ka as studim fizibiliteti mbi arsyeshmërinë ekonomike e financiare.

“Në ekonomi çdo projekt ka koston oportune, pra nuk është vetëm kosto financiare e projektit, shtrohet pyetja se cilat projekte nuk do të realizohen si pasojë e këtij shpenzimi marramendës? Ka shumë mënyra se si këto fonde mund te shkojnë në projekte që ndikojnë në punësim dhe përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarit”, kishte thënë Kuçi.

Në këtë parti kishin propozuar që vetëm të zgjerohet rruga ekzistuese dhe që paratë e parapara për këtë investim të përdoren për të zhvilluar sektorët e tjerë që do të ndikonin në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Pra, në vend që të shpenzojmë një miliard euro në rrugë, duke dëmtuar toka bujqësore e dështuar biznese, ne propozojmë që rruga ekzistuese të zgjerohet dhe paratë e parapara për këtë investim të përdoren për të zhvilluar sektorë që përmirësojnë jetën e qytetarit”, thuhej në përgjigjet e Kuçit drejtuar Gazetës Express.

Express i ka pyetur zyrtarët e kësaj partie, nëse arsyeja e ndërrimit të qëndrimit për ndërtimin e Autostradës ka qenë kushtëzim i AAK’së për një koalicion parazgjedhor, por ata i janë përgjigjur kësaj pyetje. 

Ndryshe, ndërtimin e kësaj autostrade nuk e kishte përkrahur as opozita e as dy partitë që ishin pjesë e koalicionit. Ata kishin propozuar që vetëm të bëhet zgjerimi i rrugës ekzistuese, e mjetet të shkojnë në fusha që do të përmirësonin jetën e qytetarëve.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i kishte thënë Gazetës Express se shpenzimi i miliardave të buxhetit vetëm në asfalt është gabim fatal. Sipas Abdixhikut, edhe ky projekt po bëhet për interesa individuale e jo nacionale.

“Nëse një mësim Kosova duhet ta ketë nxjerre në 10 vitet e fundit, atëherë i njëjti është se shpenzimi i miliardave te buxhetit ne asfalt – dhe asgjë tjetër – është gabim fatal. Me projekte të tilla, me kosto dy tre fish në të lartë se në Evropë, me shterrje të buxhetit për shume vite, Kosova ka lenë në gjendje kolapsi shëndetësinë, arsimin dhe gjyqësinë – tri fushat prioritare të qytetareve tanë”, kishte thënë ai.

Sipas Abdixhikut, qytetarët e vendit kanë nevoja të tjera dhe se një miliardëshi i adresuar për autostradë do t’iu jepte zgjidhje shumë prej këtyre problemeve.

“Konsideroj se vendi ynë – përfshirë dhe banorët e Dukagjinit – kanë nevoja krejt tjera. Ato natyrshëm janë të lidhura me vendet e punës, me përkujdesin më të mirë shëndetësor, me edukim me cilësor e me shtet të së drejtës. Një miliardëshi i adresuar për autostradë do t’u jepte zgjidhje shumë prej këtyre problemeve”, kishte deklaruar Abdixhiku për Express.

Ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit nuk e kishin përkrahur as nga Lëvizja Vetëvendosje.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu i kishte thënë Gazetës Express se Ministri Pal Lekaj ka marrë vendim për variantin final të këtij projekti pa analizë paraprake të fizibilitetit, pa arsyeshmëri ekonomike dhe në kundërshtim me të gjitha planet hapësinore në Kosovës.

Edhe Aliu ishte shprehur se ky projekt është në shërbim të interesave private.

“Cenimi i pakthyeshëm i tokave bujqësore nën komasacion dhe me sistem ujitjeje, përveçse është dëm ekonomik është edhe veprimtari e ndaluar me ligj. Vendimi ad-hoc si dhe caktimi ad-hoc i korridoreve të autostradës është pikërisht modeli i kësaj Qeverie, e cila improvizon projekte të pastudjuara në shërbim të interesave private të mirëpërllogaritur”, kishte thënë Aliu.

Sipas Aliut, në mungesë të ideve zhvillimore dhe zonave industriale, infrastukturën e cila i mbyt potencialet e zonës qeveria po e shet si investim zhvillimor.

 “Përse të shpenzohen 1 miliard euro për autostradën kur parashihen projekte edhe për zgjerimet e rrugëve ekzistuese. Rruga Prizren-Gjakovë është në projekt të zgjerohet në 4 shirita? Përse paralel me këtë rrugë të ndërtohet autostradë? Njëjtë me këtë projekt, Qeveria po punon drejt projektit të vazhdimit të autostradës deri në Merdarë ndërkohë që ka filluar zgjerimi i rrugës ekzistuese me katër shirita dhe kjo autostradë do të jetë paralel me këtë rrugë me një distance 1-5 km nga ajo”, thuhej në përgjigjet e Aliut.

Sipas tyre, qasja jo zhvillimore dhe korruptive qeverisëse në vend se të nxjerrë në pah potencialet e Kosovës ia ngulfat ato dhe se për këtë arsye zonat më të mëdha pjellore në vend po braktisen nga banorët.

Investimi i shtetit në asfalt nuk ishte parë si veprim i mençur as nga njohësi i ekonimisë, Naim Gashi.

Gashi kishte deklaruar se në vend të autostradës duhet të zgjerohen rrugët ekzituese që lidhin këto qytete të Dukagjinit, ndërsa këto mjete duhet të përdoren për zhvillimin e turizmit dhe bujqësisë në këto komuna.

“Marrja e vendimit për projekte madhore që kanë kosto miliardëshe duhet t’i paraprijë një debat publik me qytetarë dhe ekspertë. Ekspertët e fushës duhet të bëjnë llogarinë kost-benefit. Të shihet a ia vlen ky projekt në kundërvlerë me koston”, thotë Gashi.

Sipas tij, fokusi i investimeve duhet të orientohet në sektorë që gjenerojnë vende pune për të rinjtë të cilët masivisht po emigrojnë në Evropë.

“Mendimi im është se fokusi i komplet investimeve kapitale në asfalt është i gabuar. Ne kemi popullatën më të re në Evropë, ndërsa investojmë 2% të buxhetit për rininë. Kjo është paradoksale. Fokusi i investimeve duhet të orientohet në sektorë që gjenerojnë vende pune për të rinjtë të cilët masivisht po emigrojnë në Evropë”, thuhej në përgjigjet e Gashit drejtuar Gazetës Express.

Përveç partive opozitare, kundër kësaj autostrade ishin deklaruar edhe zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha, kishte thënë se autostrada e Dukagjinit mund të jetë pikë e cila e ndan partinë e tij me AAK-në. Berisha ka thënë se ideja e ndërtimit të autostradës, e cila po proklamohet, është e gabuar.

Sipas tij duhet të jetë një autostradë e tipit të hapur, pasi që thekson se shumë biznese janë në atë rrugë dhe me lëvizjen e trasesë shumë prej tyre do të falimentojnë. Ai ka thënë se tipin e mbyllur të autostradës do ta kundërshtojnë edhe në Kuvend.

“Ky është projekt që kushton mbi 1 miliard euro dhe si i tillë duhet të analizohet. Edhe me u rreziku Qeveria nuk bëhet nami, me rëndësi është të shpëtohet shteti. Ne duhet të mendojmë për qytetarët. Kemi prioritete të tjera për të cilat mendoj që edhe kryeministri edhe të gjithë e dinë”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, Qeveria nuk duhet të ngulë këmbë për të ndërtuar një autostradë e cila, sipas tij, nuk është edhe aq e nevojshme.

Edhe Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, që vjen nga radhët e PDK-së, kishte deklaruar se ndërtimi i autostradës në fjalë nuk është i nevojshëm për vendin, pasi që sipas tij, ka tema shumë më të rëndësishme për investim sesa rrugët.

“Mendoj që duhet me pa përtej këtyre problemeve, përtej asfaltit. Me trajtu çështjet qysh është arsimi, shëndetësia, sundimi i ligjit që janë tepër të rëndësishme për kualitetin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, kishte thënë Tahiri.

Deklarimeve të partnerëve të koalicionit u ishte përgjigjur edhe i pari i Qeverisë.

Kryeministri Haradinaj kishte thënë se kjo autostradë është në interes të të gjithë Kosovës, e jo vetëm të Dukagjinit. Për paralajmërimet e Berishës se me këtë autostrde rrezikohet Qeveria, Haradinaj ka thënë se kurdo që parlamenti merr vendim që vendi të shkojë në zgjedhje, është e arritur e Kosovës.

“Ai (Zafiri) ka të drejtë kur thotë se rruga ekzistruese duhet me u zgjeru. Por, një rrugë ekzistuese nuk e ka funksionin e një rruge të zgjeruar, pra funksionin e autorrugës. Janë funksione të ndara, pra dallojnë. Nëse bëhet tani autorruga, mbetet traseja, sepse trasetë mbetën edhe për 50 ose 100 vjet”, kishte thënë Haradinaj.

I pari i Qeverisë kishte deklaruar se autostrada ka vlerë tjetër dhe se ndërtimi i saj është në interes të Kosovës.

“Për mua autostrada është jetike për atë zonë. Janë qindra mijëra banorë, pra është e popullume shumë ajo zonë, nëse e merr prej Peja, Deçan, Gjakovë, Rahovec e deri atje. Autostrada është interes i Kosovës, jo i Dukagjinit”, kishte thënë Haradinaj në konferencën për media./Gazeta Express