SPORT

Neymari, në formën më të mirë të karrierës

Pas shumë probleme jashtë fushës së lojës dhe me lëndime të shumta, Neymari është duke e shijuar sërish futbollin në Paris Saint-Germainit dhe i është kthyer formës së tij më të mirë.

Ish-sulmuesi i Barcelonës ka qenë në formë të mirë gjatë kohës së fundit për kampionin në fuqi të Francës dhe vazhdon t’iu bëjë përshtypje bashkëlojtarëve të tij dhe trajnerit.

Shumë persona kishin sugjeruar se braziliani kishte vendosur të transferohet në Paris në mënyrë që të largohet nga hija e Lionel Messit, mirëpo braziliani ka insistuar disa herë se kjo nuk ishte arsyeja e vërtetë.

“Unë kurrë nuk luaj që të jem i pari. E bëj sepse e dua futbollin dhe ndihem i lumtur kur jam në fushë. Pse do të doja të largohesha? I kam edhe dy vjet në kontratën time dhe dua t’i ndihmoj skuadrës të ecë përpara. Synimi im është Liga e Kampionëve”, ka thënë Neymari.

Një numër i lëndimeve, veçanërisht ato në kyçin e këmbës, kanë bërë që ai të humbë shumë ndeshje gjatë dy sezoneve të fundit.

“I kam pasur disa lëndime të ndryshme serioze gjatë dy vjetëve të fundit dhe, në fakt, kam qenë jashtë fushës së lojës  për gjashtë muaj. Më mungonte të shënoja gola”, ka shtuar braziliani.

Megjithatë Neymari do të kthehet sërish në fushën e lojës me PSG-në për ndeshjen e radhës në Ligue 1, ku po i udhëzon drejt një tjetër titulli me golat dhe asistet e tij.

“Diçka ka ndryshuar. Tentimet e tij janë fantastike tani. Jam i bindur se ai dëshiron të vazhdojë kështu. Ai ka aftësi të mrekullueshme në vrapim dhe driblim. Ai është i veçantë. Ka qenë duke luajtur kështu që disa javë dhe na jep paraqitje të tilla çdo tri ditë”, tha trajneri Thomas Tuchel.

“Ai mund të bërë gjëra të thjeshta e pastaj, në minutën tjetër, gjëra të mrekullueshme. Ajo që ai e bën është senzacionale. Kur ai e shënon vetëm një gol ose e bën vetëm  një asist, njerëzit thonë se ai s’luajti mirë. Por, e vërteta është që ai e bën gjithmonë dallimin”, shtoi Thomas Meunier.

Golat më të shpeshta

Që kur është transferuar në Parc des Princes në vitin 2017, Neymari ka kontribuar në 101 gola për klubin e tij (66 gola dhe 35 asiste) në 75 ndeshje.

Kjo bën që ai t’i ketë shënuar 0.88 gola mesatarisht për ndeshje dhe t’i ketë bërë 0.44 asiste, gjatë karrierës me PSG-në. Në Barcelonë, ai ndihmonte me 0.56 gola dhe 0.4 asiste mesatarisht për ndeshje.

“Unë jam në formën time më të mirë. Jam i lumtur që po shënoj, po asistoj dhe po e ndihmoj skuadrën. Jam 100 për qind i përqendruar në PSG”, ka thënë Neymari.

Deri më tani këtë sezon, braziliani i ka shënuar 15 gola në 17 ndeshje. 56 për qind të goditjeve të tij kanë përfunduar në gola.

Ecuria më e mirë e golave të shënuara në Evropë

Vetëm Wissam Ben Yedder (14) ka shënuar më shumë gola sesa Neymari dhe Kylian Mbappe (të dy nga 13) në Ligue 1 këtë sezon.

Në fakt, Neymari ka shënuar në secilën nga shtatë ndeshjet e tij të fundit në ligë – ecuria e tij më e mirë ndonjëherë në ligat evropiane. Ai kishte arritur të shënonte në më së shumti katër ndeshje radhazi për Barcelonën.

Nëse ai arrin të shënojë edhe në ndeshjen e tetë radhazi, ai do ta barazojë rekordin në histori të PSG-së, që për momentin e ndajnë Carlos Bianchi (1978/79) dhe Mbappe (2019/20). 

Shfaq më shumë

Leave a Reply

Your email address will not be published.