Kosova

New York Times: Si ta bashkoni një Kosovë thellësisht të ndarë? Emërtojeni një liqen me emrin e Trumpit

Shumica e gjërave në Kosovë kanë nga dy emra dhe kjo zakonisht nuk është ndonjë punë e madhe. Dy komunitetet, të cilat rrallë përzihen dhe kanë dyshime të thella për njëra-tjetrën, e përdorin cilindo që dëshirojnë.

The New York Times

Por si të quhet rezervuari me rreth 13 kilometra katrorë sipërfaqe, që zgjatet deri në Serbi por që shtrihet më së shumti në Kosovë, kjo u bë problem në fund të vitit të kaluar, kur zyrtarët e të dyja vendeve u ngatërruar në një shtytje të pazakontë diplomatike nga administrata e Trumpit për ta shëruar çarjen helmuese mes dy komuniteteve.

Përpjekja, e udhëhequr nga ambasadori i Trumpit në Berlin, Richard Grenell, i la anash Departamentin e Shtetit dhe Bashkimin Evropian, të cilët kishin punuar me vite të tëra, me pak sukses, për ta bindur Serbinë që ta pranojë ekzistencën e Kosovës si shtet i pavarur. Të ndarë nga etnia, gjuha dhe historia, popullsia shqiptare shumicë dhe pakica serbe në Kosovë nuk pajtohen pothuajse për asgjë, sidomos për statusin e vendit të cilin e ndajnë.

Duke shpresuar që interesat e përbashkëta ekonomike mund të ndihmojnë që të zhbllokohen pengesat e pazgjidhshme politike, z.Grenell, të cilin Shtëpia e Bardhë e emëroi si të dërguar të posaçëm në përpjekje për ta negociuar marrëveshjen për Kosovën, propozoi që të dërgohen ekspertë nga Departamenti i Energjisë që ta shqyrtojnë përditësimin e hidrocentralit në rezervuar, nga i cili potencialisht do të përfitonin të dyja palët.

Në atë që filloi si shaka, z.Grenell sugjeroi që emërimi i liqenit me emrin e Trumpit mund të ndihmojë. Por shakaja u bë serioze. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një postimi në rrjete sociale tha se “e mirëpret propozimin e ambasadorit Grenell që Liqeni i Ujmanit të quhet Liqeni Trump”.

Zyrtarët në kryeqytetin serb, Beograd, të interesuar për ta kënaqur Trumpin, të cilin e konsideruan si më të afërt me anën e tyre se presidentët tjerë amerikanë, gjithashtu e mirëpritën idenë.

Kosova, ndoshta shteti më pro-amerikan në botë, tashmë ka Bulevardin “Bill Clinton” dhe një statujë të ish-presidentit demokrat, i cili e kryesoi fushatën bombarduese të NATO-s kundër Serbisë në fund të viteve të nëntëdhjeta, një dyqan rrobash me emrin “Hillary” dhe një rrugë me emrin e të birit të ndjerë të presidenit Biden, Beau, oficer ushtarak që dha ndihmë për trajnimin e gjykatësve të Kosovës pas luftës së viteve 1998-99.

Shqiptarët etnikë janë shumë mirënjohës për Shtetet e Bashkuara që i shpëtuan ata nga dhuna serbe në të nëntëdhjetat, saqë “pothuajse gjithçka e propozuar nga Amerika do të pranohet, pavarësisht sa është çmenduri”, thotë Valdete Idrizi, deputete e Kuvendit të Kosovës nga Mitrovica. “Pa ShBA-në, ne nuk do të kishim shtet të Kosovës”, shton ajo.