SPORT

New Saints duhet të fitojë në Kosovë për ta shpëtuar ëndrrën evropiane

Kundërshtari i Feronikelit, The New Saints do ta kërkojë kalimin historik në rrethin e dytë kualifikues të Championsit. Uellsianët do të vijnë në Kosovë për ta fituar ndeshjen e kthimit të rrethit të parë kualifikues.

Feronikeli e siguroi një rikthim sensacional ndaj ekipit The Neë Saints, duke barazuar në fund 2:2, në ndeshjen e parë të rrethit të parë kualifikues të Champions Leagues.

Tash, kampionit të Kosovës do t’i mjaftojë edhe barazimi 0:0 ose 1:1 për ta siguruar kualifikimin historik në rrethin e dytë, gjë të cilën nuk e ka arritur deri tash asnjë skuadër kosovare.

Mirëpo, kualifikimin historik do ta kërkojë edhe ekipi uellsian, i cili është eliminuar gjithmonë në rrethin e parë.

“Ne nuk kemi bërë punë të mirë mjaftueshëm”, ka thënë fillimisht trajneri i TNS-së, Scott Ruscoe.

“Ne duhej ta kontrollonim posedimin e topit dhe ta ruanim avantazhin deri në fund. Mirëpo, në 15 minutat e fundit, kur duhej të ishim më të kujdesshëm, ata jo që e shënuan vetëm një gol si udhëtues, por dy”, shton ai.

Ruscoe ndien se ekipi i tij ishte i pafat ta pësonte golin e dytë, një penallti të shkaktuar nga Simon Spender pasi e preku topin me dorë.

“Unë nuk mendoj se ishte penallti dhe nuk më pëlqeu mënyra se si ata në mënyrë konstante po binin në tokë duke kërkuar të nxirrnin gjuajtje të lirë. Ata po rrëzoheshin në tërë fushën”, ankohet Ruscoe.

Ai insiston se TNS është ende në garë për t’u kualifikuar edhe pse do të ketë punë të vështirë në Ballkan javën që vjen.

“Më duhet t’i zgjedh djelmoshat e duhur dhe me mentalitet të lartë të shkojmë përpara”, ka përfunduar Ruscoe.

Ndeshja ndërmjet Feronikelit dhe The New Sainst do të zhvillohet të martën tjetër në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Skuadra që kalon tutje do të luajë me Copenhagen në rrethin e dytë kualifikues, kurse ekipi humbës do t’i vazhdojë garat në Europa League.