KULTURË

Netflix ka blerë të drejtat e filmit të Bradley Cooperit për kompozitorin Bernstein

Aktori dhe regjisori amerikan Bradley Cooper, 45, do ta bëjë regjinë e filmit për dirigjentin dhe kompozitorin amerikan Leonard Bernstein, ndërsa të drejtat për filmin, i cili ende nuk ka titull, tashmë i ka blerë Netflix.

Cooper edhe do të luajë në film, ndërsa, përveç kësaj, së bashku me Josh Singerin, skenaristin çmim-fitues të “Spotlight”, është autor i skenarit.

Në mesin e producentëve përfshihen emra të mëdhenj hollivudianë, përfshirë Steven Spielberg dhe Martin Scorsese, shkruan KOHA Ditore. Cooper bashkëpunon ngushtë me fëmijët e Bernstein, ndërsa pasi që me ekipin e filmbërësve të famshëm i fitoi të drejtat ekskluzive të filmit, Netflixi e ka pranuar projektin duarhapur.

Kjo nuk do të jetë një biografi klasike për Bernsteinin, por një histori e ndërlikuar për martesën e kompozitorit, pianistit, dirigjentit dhe teoricienit muzikor amerikan dhe gruas së tij, Felicia Montealegre, aktores kiliane.

Bernstein (1918-1990) ishte një nga dirigjentët dhe kompozitorët më të famshëm në Shtetet e Bashkuara. Ai ka dirigjuar me pothuajse të gjitha orkestrat më të mëdha amerikane, ndërsa nga viti 1958 deri në vitin 1969, ishte drejtori muzikor i filarmonisë së New Yorkut. Ai gjithashtu interpretoi si dirigjent i operës dhe si pianist koncertal.

Ai fitoi famë botërore me muzikorët “On the Town!” (1944) dhe “West Side Story” (1957), ku të dy u xhiruan edhe në versione filmike.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483