Kombëtare

Nesër protestohet në Gjakovë kundër ardhjes së pelegrinëve serbë, të dyshuar për krime lufte

Burra, djem e nipa, iu morën nga duart grave të Gjakovës, për të mos i parë më me sy, tash e 20 vjet pas lufte. Kjo luftë, Nesrete Kumnovës ia mori një copë të zemrës, por jo edhe vullnetin e zërin për ta kundërshtuar politikën serbe.

E angazhuar edhe politikisht në komisionet qeveritare për të pagjeturit, ajo thotë se Kosova vazhdon të jetë në luftë, raporton KTV.

6 janari, për 20 vjet me radhë, ka shënuar ngritjen e zërit të grave të kësaj komune, në shenjë proteste për krimet që serbët kryen në Gjakovë. Pelegrinë serbë, çdo vit në këtë datë, vizitojnë manastirin në Gjakovë, si traditë festive e tyre, e që për Kumnovën dhe qytetin e Gjakovës, shihet më shumë si provokim e vrasje e dyfishtë për më të dashurit e tyre.

Ish-udhëheqësja e Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, e cila edhe kishte arritur të kthente 950 trupa në Kosovë përgjatë dy vjetëve, shpreson se institucionet e vendit do të përkrahin protestën e tyre. Derisa të njëjtën shpresojnë edhe qytetarë të kësaj komune, që e përkrahin këtë protestë.

Protesta e organizatave joqeveritare dhe qytetarëve të Gjakovës pritet të fillojë të hënën, nga ora 08:00 e mëngjesit.

Lini një Përgjigje

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.