Kosova

Nesër AAK-ja miraton ndryshimet statutare, hapet gara për kryetar

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nesër mban kuvendin e jashtëzakonshëm të punës, ku në njoftimin për media thuhet se rreth 600 delegatë pritet të diskutojnë mbi procesin e reformave në parti, pjesë e të cilit do të jetë edhe miratimi i ndryshimeve në Statutin e AAK-së.

Sipas ndryshimeve të dakorduara nga Këshilli i Përgjithshëm, thuhet në njoftimin për media, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me ndryshimet statutare që pritet të miratohen nesër në Kuvendin e Punës, do të vendos kritere të reja të organizimit të AAK-së, duke përfshirë edhe organizimin në pesë degë të veçanta në Prishtinë, si dhe do të aplikohet parimi, një delegat-një votë, me çka në fakt hapet kapitulli i zgjedhjeve të reja në të gjitha nivelet e AAK-së.

“Me ndryshimet e propozuara, hapet edhe gara për Kryetar të AAK-së, ku secili kandidat i propozuar për Këshill Drejtues, praktikisht është edhe kandidat potencial edhe për Kryetar të Partisë”, thuhet në njoftim.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, synon që menjëherë pas këtij Kuvendi të Punës të fillojë procesin e reformave në Parti, për të qenë e gatshme që në çdo rrethanë të marrë përgjegjësi në procesin e shtetndërtimit dhe të zhvillimit të përgjithshëm të vendit.

“Kuvendi i Punës i AAK-së, i fillon punimet nesër, e diel 29 Dhjetor 2019, ora 11, në sallën e madhe të Hotelit Emerald dhe është i hapur për media”, përfundon njoftimi.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483