OPINION

Nëse do të isha burri i një të dhunuare…

Një nga dëshmitë më tronditëse që letërsia botërore ka nxjerrë për Holokaustin, padyshim, është romani “Nata” i shkrimtarit hebre, të mbijetuarit të kampit nazist të Bukenvaldit, Eli Visel (Elie Wiesel).

Nga ai roman, skena e vdekjes së babait, e rrëfyer me një vërtetësi vrastare nga i biri, ka qenë gjëja më e tmerrshme që kam lexuar.

Babai i shkrimtarit, i kapluar nga ethet e vdekjes, i shtrirë në barakat e tmerrit, vetëm dy tre metra larg të birit 16 vjeçar, mbledh fuqitë e fundit që i kanë mbetë dhe nxjerr fjalët:

“Eliezer, djali im, eja këtu … dua të të them diçka … Vetëm  ty … Eja, mos më lër vetëm … Eliezer …”

Nga ky moment, rrëfimin po e sjell në vetë të parë, siç e tregon autori, pasi vetëm kështu mund të kuptohet vërtetësia tronditëse.

Dëgjova zërin e tij,  kuptova dimensionin tragjik të momentit, por nuk shkova!

Ishte dëshira e fundit që të më kishte pranë, në agoninë e tij, në momentin kur shpirti i tij po udhëtonte drejt qiellit.

Por unë nuk u lëkunda për asnjë cast nga klithmat e shpirtit të tij.

Në vend që të sakrifikoja jetën time të mjerueshme dhe të nxitoja për tek ai, t’i merrja dorën, ta siguroja që nuk ishte i braktisur, se unë isha pranë tij, unë heshta duke iu lutur Zotit t’ia merrte shpirtin sa më parë dhe ta ndalte së thirruri emrin tim!

Kisha frikë se mos unë pësoja zemërimin e SS-ëve.

Babai im nuk ishte më i vetëdijshëm. Megjithatë, zëri i tij ishte i pikëlluar dhe i tmerrshëm.

Oficeri SS dëgjoi diçka dhe filloi ta godiste. Babai nuk i ndjente më goditjet, unë po. E megjithatë nuk reagoja, e lashë oficerin SS të godiste babain e mbërthyer në kthetrat e vdekjes.

Më keq akoma, isha i zemëruar me të pse në sekondat kur shpirti po i dilte prej trupi bëri zhurmë duke thirrur emrin tim: “Elieser, djali im, eja këtu, dua t’ju them diçka të fundit, mos më lër vetëm”…

Kur e kam mbaruar së lexuari kam menduar se ky rrëfim ka prekur limitet e dhunës, diskriminimit racial dhe skutat më të errëta të ndërgjegjes njerëzore. Viesel thotë që fjalët janë tmerrësisht të paafta të përshkruajnë me vërtetësi ndodhitë e Bukenvaldit. Diku ai shkruan :”Vetëm hiri i Birkenau-t (Auschwitz) flet më shumë se 100 libra të shkruara për të”.

Sot nuk mendoj që “Nata” është gjëja më e tmerrshme që kam lexuar.

 Jo, dëshmitë e viktimave të dhunës seksuale në Kosovë e kalojnë disa herë ferrin e viktimave të Luftës së Dytë Botërore.

Perversiteti i dhunës seksuale serbe kalon çdo lloj limiti të imagjinatës njerëzore.

Dëshmitë e shumë të dhunuarave seksuale nga Lufta e Kosovës janë dëshmi e një bombe të madhe që Serbia la në Kosovë, ditët e fundit të tyre aty. Unë kam dëgjuar këto kohë disa dëshmi, kam lexuar disa të tjera nga libri “Unë dua të dëgjohem”.

Tashmë jam i bindur, dhunimi seksual ka qenë një strategji perverse e hartuar në kancelaritë e Beogradit dhe jo një shfrim i epsheve të ushtarëve të papërgjegjshëm. Qëllimi ka qenë kthimi i “Viktimave kundër Viktimave”, vuajtja jetëgjatë e pasojave të kësaj dhune.

Duke lexuar dëshmitë e të dhunuarave, gjithnjë e më shumë bindesh që qëllimi i tyre është arritur. Jeta e të dhunuarave është shkatërruar, fëmijëve të tyre gjithashtu, vëllezërve, motrave. Dhunimi seksual në prezencë të burrit, të vëllait, të fëmijës apo të prindërve nuk është më dhunim seksual. Ajo është vula e turpit me të cilën Serbia vulosi trupin e brishtë të Viktimës në ditët kur kjo po merrte lirinë.  Ajo “farë lirie”, për këto Viktima, erdhi me koston më të tmerrshme të mundshme. Burrat u ndanë nga gratë, nënat nga fëmijët, vëllezërit nga motrat, viktimat nga shoqëria. 

Bomba jeton akoma mes shoqërisë kosovare. Por si reagon shoqwria?

Një nga zërat më të njohur në Kosovë, Kimete Berisha,  në një status të saj në FB akuzon një nga të dhunuarat për dashurinë që ajo ka për fëmijën e dhunimit. Sipas Kimetes, fjalia “për atë fëmijë e jap edhe shpirtin”!, është absurde dhe e pakuptueshme nga psikologët botërorë e lëre më nga shqiptarët e zakonshëm. Gjithashtu, Kimetja shton “edhe më absurde është habia e saj pse e ka lënë burri kur ajo ka vendosë të mbajë fëmijën e dhunës”

Sipas asaj që kuptova kur lexova këto fjalë, gazetarja mendonte që fëmijët e dhunimit nuk mund të duhen me loçkë të shpirtit. Ka një diçka që pengon për t’i dashur ata. Gjithashtu, Kimetja shfaq mirëkuptim të plotë ndaj bashkëshortit që e ndau gruan.

Këto fjalë të thëna nga një zë i spikatur i shoqërisë, së cilës unë i kam lexuar mjaft gjëra interesante, ishin po aq tronditëse sa edhe rrëfimet e së dhunuarës.

Nuk do të kisha mirëkuptim edhe sikur këto fjalë t’i thoshte një plak i një fshati të humbur e lëre më Kimetja. Unë mendoj që dashuria e një nëne për fëmijën nuk ka lidhje asfare me babain e tij. Ajo është gjëja më e pakushtëzuar në botë. Dhe të duash një fëmijë dhunimi është akt hyjnor! Ai fëmijë nuk ka faj së pari. Pikën e fajit! Së dyti nuk ka asnjë përkrahës, ai është foshnjë e urrejtjes, atë nuk e duan as motrat e veta nga nëna, as gjyshja, as të afërmit.

Pashë edhe komentet e atij statusi. Asnjë prej tyre, asnjë për be, nuk kishte për tekstin e Kimetes për të dhunuarën. Kishte komplimente për pjesë të tjera të statusit por asgjë për “plagën tabu”. Kishte një mirëkuptim të heshtur.

Po burrat pse nuk i gjykon opinioni?! Këta që pranuan t’ua rrëmbenin gratë, motrat, bijat e t’ua përdhunonin në sy të tyre?! A nuk duhet të ishin këta, të parët që do të duhet të përqafonin gratë, nënat, motrat dhe bijat e tyre?!

Nuk e di se çfarë bisedoi burri me kunatin dhe me vjehrrin kur tre gratë e tyre dhunoheshin e pastaj merreshin për t’u ridhunuar në një skenë më makabre. Çfarë flisnin?

Një skenë ku Eli Visel do të thoshte “Nuk paskam parë gjë”.

Zoti u dha kurajë dhe jetuan!

Kur po dëgjoja dëshminë e tmerrshme të të dhunuarës seksuale në Frontal, e pyeta veten “Çfarë do të bëja nëse do të isha burri i asaj gruaje”?!

Pikërisht i asaj gruaje që shkruan Kimetja.

Pra, nëse do ma dhunonin gruan, motrën nënën dhe vajzën – para syve të mi, a do të gjeja arsye për të jetuar?

A thua do të gjeja kurajë për të vdekur e mos e parë një skenë të tillë? Nuk kam nga ta di, vullneti për të vdekur është jashtë mundësive për t’u diskutuar.

Por për një gjë jam i sigurtë. Nëse do të jetoja do të kërkoja shpagim. Bombën që ata ma lanë, vulën e turpit në derën e shtëpisë sime do ua hidhja atyre akoma pa plasur! Do dilja me gruan, nënën dhe me motrën e do të deklaroja që po, më kanë dhunuar!

Mua të parin.

Ata u sollën me mua në të atillë mënyrë që të heshtja, të jetoja me vulën e turpit, të më ndanin nga gruaja, motra, nëna ime. Por jo, nuk ia arritën qëllimit. Unë i dua ato më shumë se kurrë pas asaj prove të tmerrshme që kaluam!

Nëse nazistët lanë hirin e Birkenau-t si dëshmi e genocidit njerëzor, serbët lanë dëshmi të padukshme, ata shkatërruan të ardhmen e viktimave të tyre.

Sa më shumë raste të dhunuarish të  dalin me fytyrën e tyre dhe të tregojnë dhunën e përjetuar aq më shumë u kthehet xhelatëve bomba e lënë.

Heronjtë e luftës duhet të hapin pak krahun, të heshtin pak. Sa nga gratë, motrat, nënat e tyre u dhunuan? A është koha të flitet për trimëri kur dhuna seksuale ndaj më të pambrojturve ka bërë kërdinë?

Më mirë vonë se kurrë. Përndryshe do të binim në grackën e dhunuesve.