Bota

Nervozohet Trump, i kërcënon protestuesit me ushtri

Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka kërcënuar me përfshirje të ushtrisë për të ndaluar trazirat e shkaktuara pas vdekjes së një afro-amerikani gjersa ishte në paraburgim.

Ai tha se në rast se qytetet dhe shtetet dështojnë në kontrollimin e protestave dhe “në mbrojtjen e qytetarëve të tyre” ai do të vendosë ushtrinë dhe ”do ta zgjidhë shpejt problemin”, shkruan BBC.

Protestat për shkak të vrasjes së George Floyd, kanë hyrë në ditën e tyre të shtatë. Katër policë janë gjuajtur me armë në qytetin St Louis, por nuk janë në rrezik jete dhe janë dërguar në spital. Në Chicago, dy persona janë vrarë dhe shumë prej tyre janë arrestuar. Rreth 40 qytete në SHBA janë nën orën policore.

Gjersa Trump po fliste nga Shtëpia e Bardhë, policia shpërndau protestuesit nga një park i afërt me gaz lotsjellës dhe plumba gome.

Presidenti pastaj kaloj parkun dhe pozoi para një kishe të dëmtuar, duke provokuar kështu kritika për mënyrën agresive se si po i sulmon protestuesit paqësorë për shkak një rasti për të bërë foto, me Bibël në dorë.

Ndërkohë, me dhjetëra qytete kanë vendosur orë policore gjatë natës. Qyteti i New Yorkut është nën orë policorë deri në orën 5 të mëngjesit, dhe Washington DC ka zgjatur orën policorë për edhe dy netë.

President i SHBA-ve dha një adresim të shkurtë nga Shtëpia e Bardhë, në mes zhurmës së protestës që po shpërndahej nga policia.

Trump tha se “të gjithë amerikanët janë të revoltuar dhe neveritur nga vdekja brutale e George Floyd” por tha se kujtimi i tij nuk duhet të “mbytet nga turma e mllefosur”.

“Jam duke vendosur me mijëra dhe mijëra ushtarë të armatosur rëndë, punonjës ushtarakë dhe zyrtarë të zbatimit të ligjit për të ndalur kryengritjen, plaçkitjen, vandalizmin, sulmet dhe shkatërrimin e pronave”, tha ai.

Pastaj Trump e ktheu vëmendjen drejtë protestave përgjatë pjesës tjetër të shtetit, për të cilat i fajësoi “anarkistët profesionalë” dhe grupin anti-fashist Antifa. Të dielën ka thënë se ka ndër mend të shpallë Antifa-n si organizatë terroriste.

Ai i bëri thirrje qyteteve dhe shteteve që të zbarkojnë Gardën Kombëtare, forcat rezerve ushtarake që mund të thirren për të intervenuar në emergjenca të brendshme, “në numra të mjaftueshëm që të dominojmë rrugët”.

Trump shtoi: “Nëse një qytet ose shtet refuzon të merr masat e nevojshme, atëherë do të vendosi ushtrinë e SHBA-së dhe do ta zgjidhi problemin shpejtë në vend tyre”.

“Dua që organizuesit e këtij terrori të dinë se do të përballen me dënime të rënda kriminele”, shtoi ai.

Komentet e tij shkaktuan kritika nga Demokratët. Joe Biden, kandidati presidencial i kësaj partie tha se Trump po përdorte ushtrinë amerikane kundër vetë popullit amerikan.