Kosova

Nëntëvjeçari i shkruan letër Bidenit, do që të mësojë më shumë për ShBA-në në shkollë

Një nxënës i klasës së tretë në një shkollë të Prishtinës i ka shkruar një letër presidentit amerikan Joe Biden.

Nëntëvjeçari i ka kërkuar presidentit të shtetit më të fuqishëm mbështetje në mënyrë që në shkollën e tij të mësojnë  më shumë për Amerikën.

“Po ju shkruaj që me mirësjellje t’iu kërkoj që ta mbështesni shkollën tonë. Ne i mësojmë disa lëndë, por ne mësojmë shumë pak mësime për SHBA-në.  Ne do të ishim shumë të lumtur sikur të kishim më shumë libra dhe mësime për SHBA-në si p.sh. historinë amerikane, sport dhe të tjera”.

Letrën e djaloshit nga Prishtina drejtuar presidentit amerikan, Joe Biden, e ka postuar ambasadorja në detyrë e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.

“Një nëntëvjeçar, nxënës i klasës së tretë, nga Kosova i ka shkruar një letër presidentit Joe Biden duke i kërkuar mbështetjen e tij, sepse ai do të donte të mësonte më shumë për Amerikën  në shkollë. Nuk mund të jetë më e ëmbël se kaq”, ka shkruar ajo në rrjete sociale.

Letra e plotë e nxënësit të klasës së tretë:

Shpresoj se je mirë dhe e ke pasur një fillim të mirë në Shtëpinë e Bardhë. Emri im është Diell Sadriu dhe jam nga Kosova, Prishtina. Jam nëntëvjeçar dhe jam në klasën e tretë në British School në Kosovë.

Po ju shkruaj që me mirësjellje t’iu kërkoj që ta mbështesni shkollën tonë. Ne i mësojmë disa lëndë, por ne mësojmë shumë pak mësime për SHBA-në.  Ne do të ishim shumë të lumtur sikur të kishim më shumë libra dhe mësime për SHBA-në si p.sh. historinë amerikane, sport dhe të tjera.

Pres që të dëgjoj së shpejti nga ju,

Gjithë të mirat,

Diell Sadriu