KULTURË

Neglizhohen ndërhyrjet e paligjshme në xhaminë “Taftali” të Pejës

Për rreth dy javë prej nisjes së punimeve pa leje në xhaminë “Taftali” në qendër të Pejës, institucionet përkatëse të kulturës vetëm kanë bërë sehir.

Gjithçka kishte filluar pas miratimit të një kërkese nga ana e Këshillit të Bashkësisë Islame në Pejë për nisjen e punimeve për instalimin e ngrohjes qendrore dhe zëvendësimin e dyshemesë me pllaka qeramike. KBI s’e kishte përfillur faktin se monumenti i ndërtuar në vitin 1587 është pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore e vënë nën mbrojtje të përkohshme të shtetit dhe për çfarëdo ndërhyrjeje duhet leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Përveç veprimit injorues ndaj institucioneve të shtetit, Këshilli i Bashkësisë Islame në Pejë, i drejtuar nga Musli Arifaj, nuk u është përmbajtur as zotimeve të veta për ruajtjen e “gjërave arkitektonike” dhe as për përfundimin e punimeve para 4 tetorit.

Të hënën, ata nuk i janë përgjigjur interesimit të gazetës për ndërhyrjen e paligjshme dhe as se kur do të hapet xhamia.

Burime të gazetës kanë thënë se edhe të hënën kanë vazhduar punimet aty.

Pas instalimit të ngrohjes qendrore dhe heqjes së dyshemesë së vjetër, ndërhyrja tani ka prekur edhe pjesën e epërme të xhamisë.

Këto burime kanë thënë se tani janë hequr edhe dërrasat me të cilat kishte qenë i veshur “mahvili” nga ana e poshtme.

E kontaktuar nga gazeta, Shpresa Gjonbalaj, drejtoreshë e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Pejë, ka thënë se xhamia vazhdon të jetë e mbyllur.

Gjonbalaj ka bërë me dije se janë njoftuar edhe institucionet përkatëse me kohë, por, sipas saj, QRTK kujdeset vetëm që të mos shkatërrohet struktura e jashtme.

Ndërkaq Ismet Hajrullahu, drejtor i IKMM-së, ka pranuar se inspektorët nuk kanë qenë në vendin e ngjarjes.