EKONOMI

Në tre muajt e parë, kryeqyteti shpenzon më shumë e inkason më pak sesa vitin e kaluar

Me më shumë shpenzime e më pak të hyra karakterizohen tre muajt e parë të 2018-s, në Komunën e Prishtinës në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Të hyrat kanë shënuar ulje prej 737 mijë eurosh ose 11.96%, në krahasim me tremujorin e parë të 2017-s, raporton “038” i KTV-së.

Deri tash komuna ka mbledhur vetëm 5 milionë e gjysmë euro, ose 18% të të hyrave të planifikuara për këtë vit.

Kjo ulje, sipas arsyetimit në raport, ka ardhur në masë të madhe nga mosrealizimi i të hyrave nga lejet e ndërtimit, shpronësimi dhe taksave për shfrytëzim të sipërfaqeve publike.

Për dallim nga tre muajt e parë të viti që shkoi, të hyrat për mbeturinat janë rreth katër herë më të vogla.

Deri në fund të marsit 2017, atëkohë, kompania “Pastrimi” kishte inkasuar mbi 600 mijë euro nga pagesat për mbeturina, ndërsa këtë vit Komuna e Prishtinës, e cila ka marrë përsipër këtë detyrë, ka inkasuar vetëm 130 mijë euro.

Megjithatë, në disa kategori, si pagesa e tatimi në pronë, transaksione të pronës e taksat për ushtrimin e veprimtarive, është shënuar rritje të hyrave.

Por, ndryshe nga të hyrat, shpenzimet kanë kaluar e shifrën e 11 milionë eurove, duke shënuar rritje të përgjithshme prej 3%.

Rritja me e madhe në shpenzime është shënuar në kategorinë mallra dhe shërbime – 38%.

Në tre muajt e parë të këtij viti, Komuna e Prishtinës ka harxhuar 4.82% më shumë edhe për paga dhe mëditje, sesa në fund-marsin e kaluar.

Por edhe në këtë kategori ka pasur ulje – ky institucion ka shënuar ulje prej 32% të shpenzimeve për subvencione dhe transfere.

Shpenzimet kapitale janë ekzekutuar në një normë jo të kënaqshme – 35 mijë euro më pak se vitin e kaluar, apo vetëm 2.61% e planifikimit të përgjithshëm për këtë vit.

Detajet e këtij raporti do të diskutohen të enjten e ardhshme në seancën e katërt të rregullt të Kuvendit të kryeqytetit.