Kombëtare

Në Stacionin Policor të Zubin Potokut u morën armë në dhomën e dëshmive – tre të suspenduar

Thellë në brendi të Zubin-Potokut, në veri te Mitrovicës, në një shtëpi private gjendet Stacioni Policor i Zubin-Potok.

Në këtë ndërtesë tejet të vjetruar dhe me mure e dritare të dëmtuara, ditë më parë dyshohet se ndodhi një vjedhje, raporton KTV.

Nga dhoma e dëshmive në këtë stacion dyshohet se u zhdukën disa armë dhe motosharra.

Armët që u nxorën nga ky stacion policor dyshohet se ishin të trazirave të marsit të vitit 2008, ka mësuar KTV-ja nga burime brenda Policisë.

Policia e Kosovës ditë më parë ka suspenduar përgjegjësin e dhomës së dëshmive, shefin e hetimeve dhe komandantin e Stacionit Policor me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Zëvendëskomandanti i Policisë në veri të Mitrovicës, Besim Hoti, ka thënë se ata pas një inspektimi që i kishin bërë këtij stacioni kishin parë parregullsi në dhomën e dëshmive dhe menjëherë e kishin lajmëruar IPK-në.

Por, për shkak të hetimeve, Hoti ka thënë se nuk mund të flasë më shumë për këtë rast.

IPK-ja i ka suspenduar përkohësisht këta zyrtarë, por pastaj i ka rekomanduar Policisë që të vazhdojë me këtë masë deri në përfundim të hetimeve.

Për vjedhjen në Stacionin e Policisë në Zubin-Potok, hetime ka nisur edhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Por as ky institucion nuk ka dhënë detaje për hetimin dhe nuk ka sqaruar nëse ka ndaluar ndonjërin prej zyrtarëve të përfshirë në këtë skandal.

Derisa Inspektorati Policor i Kosovës përmes një përgjigjeje me shkrim ka thënë se janë duke punuar në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Por në përgjigje nuk specifikohet nëse ndonjëri nga zyrtarët policorë është ndaluar apo është në paraburgim.

IPK-ja nuk ka konfirmuar nëse armët që dyshohet se mungojnë nga dhoma e dëshmive ndërlidhen me ndonjë incident kriminal.

“Në konsultim me prokurorin kompetent të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, hetuesit e IPK-së janë duke ndërmarrë veprimet hetimore në drejtim të zbardhjes së rrethanave të rastit dhe përcaktimit të përgjegjësisë penale për zyrtarët e dyshuar. Në këtë fazë të hetimit IPK nuk mund të konfirmon nëse armët që dyshohet se mungojnë nga dhoma e dëshmive ndërlidhen me ndonjë incident kriminal. Ndaj zyrtarit policor përgjegjës për ‘dhomën e dëshmive’, shefit të hetimeve dhe komandantit të SP Zubin-Potok, sipas procedurave të parapara disiplinore është iniciuar suspendimi fillimisht nga niveli lokal i policisë, kurse nga Inspektorati Policor i Kosovës sot është rekomanduar vazhdimi i suspendimit deri në përfundimin e procedurës hetimore. Për shkak të integritetit të procesit hetimor në këtë fazë nuk mund të shpalosen më shumë detaje”, ka thënë Inspektorati Policor i Kosovës.

Inspektorati Policor i Kosovës në vazhdimësi ka dhëne vërejtje për dhomat e dëshmive në disa prej stacioneve policore.

Në raportin e fundit të inspektimit ky institucion kishte hasur në disa parregullsi sa i përket ruajtjes se provave brenda dhomave të dëshmive.

Vetëm në një rast IPK-ja në dhomën e dëshmive në Stacionin Policor të Ferizajt kishte gjetur se një shumë e parave të konfiskuara mbaheshin në një sef brenda një zyre tjetër e jo në dhomën e dëshmive.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.