OPINION

Në sistemet demokratike qytetarët kanë të drejtë të mbesin injorantë (dy tablo)

Pakkush do ta merrte me mend se kaq dekada pas rrënimit të komunizmit në Shqipëri, artistët e vendit, do të shndërroheshin në ushtarë të njëmendët, të gatshëm që të bëheshin kurban për t’i dalë ballë makinerisë rrënuese kulturore, makinerisë brutale që gjakon ta shuaj një pjesë të kujtesës kolektive… Çfarë fotografie e pabesueshme, apo jo?! – shprehin dëshpërimin disa qytetarë.

Shkruan: Imer Topanica

Nuk ka mëdyshje që revolta që shpërtheu në Tiranë pas shembjes së teatrit, qe e drejtë, por rrënimi i këtij institucioni kulturor, duhet ta pranojmë me keqardhje, është vetëm një simptomë. Shqiptarët kanë kujtesë të shkurtër. Sikur e kultivojnë vet harresën. Dhe ky dreq gjeni i harresës manifestohet kudo ku jetojnë me shumicë ata. Prishtina për shembull, nga ku mbinë mjaft zëra solidarizues me qytetarët dhe artistët e Tiranës, ka pësuar urbicidin më të egër nën udhëheqjen e vet shqiptarëve, që pas 99-tës. Jo vetëm shtëpi e objekte, por edhe lagje të tëra të vjetra, rrugë me kalldrëm, janë bërë të paqena, duke u mbytur nga betoni mjeran dhe godinat pa stil.

  1. Të investosh në harresë

Ja disa fakte tronditëse: punimet për konservimin dhe restaurimin e Xhamisë së Çarshisë në Prishtinë, kanë filluar në vitin 2011-të. Komuna e Prishtinës, sipas disa të dhënave, thuhet se i ka shpenzuar rreth 600 mijë euro, ndërsa edhe Agjencia turke TIKA, është zotuar se do ta ndih projektin me fonde të tjera. Por besoni apo jo, projekti i restaurimit ende nuk ka përfunduar.

Hamami i Prishtinës, është shpërfytyruar tërësisht pas kinse restaurimit. «Investimet komplete në renovimin e deritashëm të Hamamit të Qytetit, i cili daton që nga viti 1461, arrijnë shumën e 756 mijë eurove», citohet një njoftim zyrtar i Komunës së Prishtinës, në kohën kur ajo udhëhiqej nga Isa Mustafa. Kryetari i tanishëm i LDK-së asokohe pat premtuar që atë ta shndërronte në një objekt atraktiv turistik duke e shndërruar në «muze të kryeqytetit». Sipas një artikulli të Kallxo.com ai, atëbotë, pat paraparë që projekti të ndahej në tri faza. E para, që kishte nisur në vitin 2007-të, kishte kushtuar 80 mijë euro, ndërsa bëhej fjalë vetëm për pastrimin e objektit. Faza e dytë kapte vlerën e 290 mijë eurove, ku prej tyre 50 mijë euro të ndara nga Ministria e Kulturës dhe faza e tretë, e nisur në vitin 2012, ka prekur koston e 419 mijë eurove. Për më keq, i tërë ky investim marramendës për restaurimin e objektit në fjalë, ka përfunduar keq. Rezultati: shikuar nga jashtë, ai është tjetërsuar.

Në Gjakovë, mbi disa rrugë të vjetra të shtruara me kalldrëm, është hedhur asfalt. Në vet Çarshinë e Vjetër të Gjakovës kanë ndodhur ndërhyrje të atilla, të cilat e kanë dëmtuar rënd një pjesë të trashëgimisë. BalkanInsight raportonte para disa vitesh se, për projektin e restaurimit të një pjese të çarshisë, qenë derdhur hiç më pak se 500, 000 euro. Ndërsa rezultati ka qenë, sikur në rastet e tjera të mësipërme, po aq i keq.

Të tilla akte kriminale janë kryer edhe në qytete të tjera, si në Prizren, Vushtrri etj. Pak qytetarë, disa organizata joqeveritare, ka ndodhur që e edhe e kanë ngritur zërin, por në shumë raste, rrënimet, shpërfytyrimet dhe çoroditjet e objekteve të ngjashme, shtëpive e lagjeve të tëra, janë realizuar në heshtje.

Në shumicën prej këtyre rasteve, “kriminelët” që e shkaktuan urbicidin, dihen mirë. Prandaj, duhet t’i shtrojmë këto pyetje retorike: pse ata nuk u ndëshkuan një herë e mirë nga qytetarët e vendit? Si është e mundur që ata ende mbijetojnë në jetën politike? A nuk do të ishte çudi që nesër, pasnesër Edi Rama të dilte përsëri fitues në zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri? Ka, a thua, ende të atillë që e mbështesin? Siç ka këndej nga ne, që përkundër plojës së madhe (siç e ilustruam pjesërisht), ende ka njerëz që i mbështesin e që u shkojnë prapa rrënuesve në fjalë…

  • Të investosh në injorancë

Të debatosh me një injorant, do të thotë të humbësh – thonë të urtët, por kur bëhet fjalë për një turmë, kjo është edhe e rrezikshme. Qytetarët e vendeve shqiptare karakterizohen edhe nga një sindrom tjetër: ata nuk lexojnë, prandaj, thënë në gjuhën e Gjuro Shushnjiq, ata manipulohen lehtë, duke qenë të paarmatosur me dije.

Të vijojmë me ilustrime konkrete:

Kohë më parë një projekt i dëmshëm edhe skandaloz, ka kaluar pa shumë kritika, e pa shumë zhurmë në opinionin publik shqiptar. Pra të paktë kanë qenë ata që u kujtuan për: Projektin e Historisë së Përbashkët (Joint History Project), përkatësisht librin ‘Luftërat, ndarjet dhe integrimi’ në të cilin historia më e re e Kosovës, rrëfehet keq, duke i ndihmuar më parë një shtrembërimi historik, se sa një të vërtete historike. Ndonëse themeluesit e OJQ-së CDRSEE-së (Center for Democracy and Reconciliation in Southeast Europe), me seli në Selanik, janë nisur nga qëllimi i mirë, duke parashikuar se shuarja e gacave të konfliktit në Ballkan në një periudhë më afatgjate, mund të bëhet vetëm duke e ndryshuar lëndën e historisë, duke bërë që profesorët e kësaj lënde ta kenë në dorë një tekst shumëpërspektivësh mbi historinë e Ballkanit, rezultati final, nuk është lavdëruar aspak.

Publicisti Shkëlzen Gashi¹, ndër të paktët emra që ka reaguar publikisht, ka vënë në dukje se teksti mësimor panballkanik në fjalë, përveç që nuk i përmend disa nga ngjarjet më të rëndësishme që shënjuan historinë më të re të Kosovës, ai është edhe i njëanshëm, pra edhe pro-serb. Artikulli i Gashit përqendrohet vetëm në analizimin e vëllimit të gjashtë të projektit, në të cilin mbulohet periudha e shthurjes së federatës jugosllave, përkatësisht ku bëhet fjalë për Kosovën. Kështu, represioni serb ndaj shqiptarëve që fillon në mënyrë sistematike në fundvitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, me rrahje, torturime, burgosje politike, helmime e vrasje, paraqitet tejet i zbutur. Më tej:

«Nënkapitujt dy, tre dhe katër të këtij kapitulli flasin për luftën në BeH, ndërsa i pesti, «Luftërat 1998-2001», ndalet pothuajse kryekëput te lufta e Kosovës. Këtu thuhet se pas krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) filluan të shtoheshin përplasjet, të cilat bashkë me trysninë e bashkësisë ndërkombëtare, sollën negociatat në Rambouillet të Francës. Nuk përmendet askund se njëri prej faktorëve kryesorë që nxiti përleshjet e armatosura, e më pas edhe trysninë e bashkësisë ndërkombëtare për negociatat në Rambouillet, ishin krimet e forcave policore e ushtarake serbe e jugosllave ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë. Tutje në këtë nënkapitull thuhet se sulmet e UÇK-së sollën emigrimin e popullsisë serbe, gjë që pastaj solli përforcime të forcave policore e ushtarake serbe e jugosllave, e se më pas në Kosovë filluan të vepronin edhe njësi paraushtarake serbe, prandaj popullata shqiptare u arratis ose u dëbua në masë. Pra, mënyra se si është hartuar teksti, nënkuptohet se ishin njësitë paraushtarake përgjegjëse për dëbimin e shqiptarëve, e jo forcat policore e ushtarake serbe e jugosllave. Në këtë nënkapitull thuhet se bombardimi i RFJ-së nga NATO-ja u ndërmor meqë pretendohej se forcat e sigurisë serbe po kryenin spastrime etnike të shqiptarëve të Kosovës. Nuk është se pretendohej, por edhe në atë kohë kishte dëshmi të dokumentueshme se forcat policore e ushtarake serbe e jugosllave po kryenin spastrime, vrasje, përdhunime, shkatërrime, e me radhë

E ajo që skandalizon edhe më shumë, fragmentet që kanë të bëjnë me krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, janë përmendur fare përciptazi:

«Masakra e Reçakut e datës 15 janar 1999, me 45 të vrarë, është e vetmja që prezantohet në këtë vëllim, por me titullin “Rasti i Reçakut”. Në tekstin hyrës të këtij kapitulli thuhet se «për këtë incident opinionet janë tërësisht të kundërta», ngaqë institucionet e ndryshme ndërkombëtare e konsiderojnë masakër, kurse autoritetet jugosllave pretendojnë se të gjithë të vrarët ishin pjesëtarë të UÇK-së. Po të nisemi nga kjo premisë, të gjitha masakrat e kryera nga forcat serbe e jugosllave dalin kontraverse, sepse autoritetet serbe e jugosllave e mohojnë secilën masakër të tyre në Kosovë. Vëllimi nuk paraqet asnjë masakër tjetër të kryer në Kosovë, madje as Masakrën e Mejës, ku u vranë 376 civilë shqiptarë të pafajshëm, ose Masakrën e Krushës së Madhe, ku u vranë më shumë se 240 civilë shqiptarë të pafajshëm. Për më shumë, fshati Reçak figuron i shkruar vetëm në versionin serbisht ‘Račak’, sikurse edhe të gjitha toponimet e tjera të Kosovës. Nënkapitulli i gjashtë ‘Mizoritë dhe spastrimi etnik’ ka vetëm një fjali për Kosovën, që citon të dhëna nga Fondi për të Drejtën Humanitare se gjatë konfliktit në Kosovë në periudhën «janar 1998 – dhjetor 2000 janë vrarë 13,421 njerëz, prej të cilëve 10,533 shqiptarë; 2,238 serbë; 126 romë dhe 100 boshnjakë». Nuk thuhet askund se cilat formacione i kanë kryer këto vrasje.»

Por për  të gjitha këto lëshime, shtrembërime e pasaktësi nuk ka faj Peter Hendke, ndonëse ato tingëllojnë si të shkruara nga dora e tij. Këto “merita” duhet t’i atribuohen edhe një historiani nga Kosova. Bëhet fjalë për Frashër Demajn², anëtar korrespondent i ASHAK-ut. Emri i tij përmendet në cilësinë e anëtarit të vetëm nga Kosova, në kuadër të Komisionit të Burimeve. Por në biografinë e tij të publikuar në uebfaqen e ASHAK-ut, figurojnë të dhënat e këtij “kontributi”, ku saktësisht thuhet se ai është: «autor i disa njësive».

Paradoksalisht, siç patëm rastin ta përjetojmë pak kohë më parë, ishte Shkëlzen Gashi ai i cili u bë kurban pas një fushatë të egër linçuese. Kryeministri në detyrë Albin Kurti, u dorëzua përpara këtij presioni dhe e shkarkoi atë nga pozita e këshilltarit. U diskutua me zjarr për ditë të tëra rreth asaj se çfarë tha e çfarë nuk tha ish këshilltari i kryeministrit (ndonëse ai iu referohej burimeve të besueshme, raporteve të cilat kurrë nuk janë kundërshtuar e hedhur poshtë nga shqiptarët, përveç në muhabete kafenesh). Në fakt, organizatat si Human Right Watch, Amnesty International, pastaj disa figura të shquara politike (dikur ushtarake, përkatesisht vet krerë të UÇK-së), si Adem Demaçi, Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj, qenë shprehur përafërsisht me të njëjtat fjalë vite më përpara.

Si për ironi të fatit, kjo temë u rrah e u stër-rrah në televizionet tona, ndërsa u thanë fjalë dhe u përmenden fakte edhe më të rënda… por turma e harbuar e humbi ritmin dhe nuk kryqëzoi të tjerë.

  • Një fund dosido

Qytetarët në demokraci kanë të drejtë të mos lexojnë. Këtë nuk ua mohon askush. Po ashtu, ata kanë të drejtë ta dëgjojnë çdo natë nëpër debate televizive Milaim Zekën (të akuzuarin për veprën penale – mashtrim me viza dhe jo vetëm); kanë të drejtë ta dinë se çka mendojnë Gani Geci (i dënuar për vrasje), e Tomë Gashi (i cili bëri bujë me aktin e turpshëm të shkelmimit të një lypësi në sheshin e Prishtinës), për zhvillimet politike në vend; kanë të drejtë t’i dëgjojnë edhe analistët e tjerë, të përnatshëm, të përditshëm. Kanë të drejtë të harrojnë atë çfarë u tha dje, e të besojnë në atë që thuhet sot, dhe anasjelltas. Mbi të gjitha ata kanë të drejtë ta kultivojnë harresën dhe të jenë injorantë e të sunduar. Në demokraci kjo është një e drejtë e pamohueshme.

_____________________________

¹https://kallxo.com/gjate/mendime/teksti-mesimor-panballkanik-per-historine-e-prezanton-keq-te-kaluaren-e-afert-te-kosoves/

²https://www.ashak.org/?cid=1,24,624

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483