Bota

Në Rusi arrestohen 19 anëtarë të një grupi terrorist

Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) tha të mërkurën se ka arrestuar 19 anëtarë të një grupi terrorist, që dyshohet se planifikonin sulme në Kaukazin e Veriut.

Shërbimi i sigurisë tha se ata janë pjesëtarë të grupit të njohur si At-Takfir wal-Hijra.

“Ideologjia [e grupit] i justifikon masat radikale kundër të ashtuquajturve jobesimtarë, përfshirë edhe myslimanët, dhe qëllimi i tij është të krijojë kalifate”, tha përmes një deklarate Shërbimi Federal i Sigurisë.

Sipas tij, oficerët kanë gjetur armë, municion, eksplozivë dhe literaturë ekstremiste te të dyshuarit e arrestuar.

Bastisjet nisën qysh më 1 shkurt në rajonet Rostov, Krasnodar Krai, Karaçai-Çerkesia, si dhe në gadishullin e aneksuar të Krimesë.

Grupi At-Takfir wal-Hijra është ndaluar dhe është shpallur ekstremist në Rusi qysh në shtator të vitit 2010.