Kosova

Në rrezik nga njeriu

Ndonëse vetë jeta e tyre varet nga llojllojshmëria e gjallesave të tjera të tokës, kjo nuk po i ndal njerëzit që kryesisht përmes zgjerimit të industrisë t’ua ngushtojnë hapësirat specieve të tjera.

Faktorë që gjenezën e kanë tek njeriu, sipas Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), janë duke çuar drejt zhdukjes rreth 26 mijë e 500 specie të gjalla në gjithë botën.

Ky është trendi edhe në Kosovë, ku speciet janë duke u pakësuar e zhdukur. Sipas të dhënave të “Libri i kuq i flotës vaskulare në Republikën e Kosovës”, nga gjithsej 306 lloje të faunës të përfshira në këtë dokument, për 90 prej tyre ka të dhëna të pamjaftueshme, 80 lloje i takojnë kategorisë gati të kërcënuara, 24 lloje janë në kategorinë të rrezikuara, dhe 25 skajshmërish të rrezikuara, shkruan sot Koha Ditore.

Qytetarët dinë pak për biodiversitetin dhe për rëndësinë e tij, ndërkohë që legjislacioni i miratuar për mbrojtje të kafshëve të egra, që në disa raste konsiderohet i mangët, nuk zbatohet fare në praktikë.

20 vjet pas luftës institucionet nuk kanë një regjistër zyrtar të numrit të secilit lloj të specieve që jetojnë në Kosovë. Kjo, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, është njëri prej problemeve më të mëdha që ka të bëjë me natyrën në Kosovë. Nuk dihet as kur do të bëhet një regjistër i tillë.

Ata thonë që edhe Udhëzimi Administrativ për llojet e mbrojtura dhe strikt të mbrojtura i vitit 2012 nuk është duke u zbatuar. Bazuar në këtë dokument, disa prej specieve që bëjnë pjesë në këto kategori janë: ariu, rrëqebulli, gjeli i egër, dhia e egër, kaprojtë, dhelpra, e të tjerë.

Edhe të dhënat që janë publike lidhur me numrin e llojeve nuk përputhën në mes tyre. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të vitit 2018, vlerësohet se Kosova ka afro 250 lloje të egra të kurrizorëve, 180 lloje të shpezëve, 130 lloje të insekteve, 45 lloje të gjitarëve, e të tjera.

Ndërkohë, sipas “Librit të kuq”, një dokument zyrtar i hartuar dhe i publikuar në fund të vitit të kaluar që flet për biodiversitetin në Kosovë, janë vetëm 306 llojet të faunës të identifikuara deri më tani nga vitet paraprake.

Llojet e rrezikuara

“Në ‘Librin e kuq’ të faunës të Republikës së Kosovës janë përfshirë gjithsej 306 lloje, të cilat u takojnë këtyre grupeve të shtazëve: Gastropoda, Bivalvia, Oligochaeta, Hirudinea, Arachnida (Araneae, Mesostigmata), Malacostraca, Diplopoda, Insecta (Ephemeroptera, Plecoptera, Odonata, Coleoptera, Mecoptera, Diptera, Trichoptera, Lepidoptera), Cyclostomata, Actinopterygii, Amphibia, Reptilia, Aves dhe Mammalia”, thuhet në këtë libër. “Një pjesë e konsiderueshme e materialit faunistik të mbledhur gjatë këtij projekti mbetet akoma e paidentifikuar, për shkak të problemeve taksonomike dhe nevojës më të gjatë kohore për të analizuar përcaktimin e tyre”.

Sipas këtij libri, numri më i madh i llojeve të përfshira u takon grupeve: Insecta (insektet) 140 lloje, Mammalia (gjitarët) 39, Aves (shpezët) 24, Reptilia (zvarranikët si hardhucat etj. v.j.) 20 dhe Gastropoda (zvarranikët si kërmijtë, etj. v.j.) 20, kurse grupet e tjera janë të përfaqësuara me numër më të vogël të llojeve.