Kosova

Në Rahovec u përurua objekti i QKMF-së

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, bashkë me kryetarin e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi sot kanë përuruar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Rahovec.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka thënë se kjo qendër do të plotësojë të gjitha nevojat e qytetarëve të Rahovecit për shërbime shëndetësore.

Ndërsa thotë se ky është investim i Komunës së Rahovecit, dhe se ka kushtuar afër një milion euro, shtoi se në këtë qendër do të kryhen shërbime të ndryshme shëndetësore.

“Objekti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare është investim i Komunës së Rahovecit, i cili kap vlerën 918,173.06 , me sipërfaqe rreth 2200 m², në të cilën do të kryhen këto shërbime shëndetësore si, mjekësia familjare, rentgeni, laboratori dhe emergjenca. Objekti ka 20 shtretër dhe 4 dhoma të intervenimit”, ka thënë Latifi.

Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se në objektin e mëhershëm kishte mungesë të personelit, dhe se nuk kishte realizime të tilla, tani ai shprehet i lumtur që në këtë komunë është ndërtuar kjo qendër e cila do të jetë lehtësim për personelin, por edhe pacientët që iu drejtohen kësaj qendre. Inaugurimin e këtij objekti Haradinaj e ka lidhur me Festën e Flamurit, 28 Nëntorin.

Ndërsa ka apeluar tek qytetarët e Rahovecit që të dhurojnë gjak që mos ketë ankesa në këtë qendër për mungesë gjaku. /Koha.net