Kosova

Në Qendrën Mjekësore të FSK-së, 612 policë kryejnë teste serologjike

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti priti sot në një takim komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës gjenerallejtënant Rrahman Rama.

Takimi kishte një shkas të veçantë, i cili vjen pas një ndihme në aspektin mjekësor që Qendra Mjekësore e FSK-së ka realizuar në procesin e testimeve serologjike për 612 zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Me këtë rast, u.d. i drejtorit të përgjithshëm Samedin Mehmeti ka çmuar lart bashkëpunimin e vazhdueshëm me FSK-në, i cili tani po pasurohet edhe në aspektin mjekësor përmes ndihmave konkrete.

“Bashkëpunimi ndërinstitucional i këtyre dy institucioneve, pos aspektit human në këtë rast, është edhe një lloj ëndrre e brezave që të shohin institucione të tilla që bashkëpunojnë në të mirë të atdheut”, tha ai. Ndërsa, gjenerallejtënant Rama shprehu gatishmërinë për bashkëpunime edhe në të ardhmen dhe me mbështetje në forma të ndryshme për projektet e Policisë së Kosovës, përfshirë ofrimin e përvojave në aspektin e sigurimit të pajisjeve të veçanta që mund t’i shërbejnë Policisë së Kosovës.