Kombëtare

Në Prizren nesër protestohet ndaj ndryshimeve klimatike

Të rinjtë e Prizrenit nga nesër i bashkëngjiten lëvizjes globale “Të Premtet për të Ardhmen” për të protestuar për ndryshimet klimatike, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Miliona të rinj në mbi 150 vende të botës janë duke u mbledhur në mbështetje të protestuesve që kërkojnë ndaljen e emetimit të gazrave.

“Në Kosovë situata është alarmante. Në raportin “Cilësia e ajrit në Evropë – 2018”, të publikuar nga kjo agjenci, thuhet se nga ajri i ndotur në Kosovë kanë vdekur 3 mijë e 700 persona për një vit, duke bërë Kosovën të renditet e para në Evropë sa i përket kësaj çështjeje”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se para 3 dite Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike si Institucioni më i lartë shëndetësor, shkencor dhe profesional me një deklaratë informoi që ndotja e ajrit po kërcënon shëndetin e popullatës.

E të rinjtë e Prizrenit të shqetësuar për të ardhmen e tyre tani po bashkohen në një valë të madhe që do të fillojë me veprime në të gjithë botën. Urgjenca e krizës klimatike kërkon një qasje të re dhe një përgjigje të drejtë të përqendruar në të drejtat e njeriut, barazinë dhe drejtësinë.

“Të rinjtë nuk duan që të rriturit të jenë shpresëdhënës. Të rriturit vazhdimisht i kanë gënjyer të rinjtë duke iu dhënë shpresë të rreme se e ardhmja është e ndritur. Por me këtë trend të ndotjes, e ardhmja tani duket shumë e zymtë. E kjo na detyron që të panikojmë”, thuhet në komunikatë.

Protesta do të fillojë në ora 12:00 në sheshin Shadërvan, për të vazhduar drejt kinemasë Lumbardhi ku do të shfaqet filmi senzibilues mbi ndryshimet klimatike.

Organizatat DokuFest, EC Ma Ndryshe dhe Fondacioni Lumbardhi që e mbështesin këtë nismë i ftojnë të gjithë qytetarët që të bashkohen në këtë nismë të rinisë së Prizrenit që kërkon një të ardhme më të sigurt.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.