OPINION

Në pritje të vendimit të kushtetueses!

Edhe përkundër shkarkimit të qeverisë, Kuvendi i Republikës së Kosovës është dhe mbetet organi më i lartë dhe legjitim i zgjedhur drejtëpërdrejt nga populli dhe në asnjë rrethanë nuk do duhej të sillej sikurse qeveria në detyrë.

Shkruan: Florim Zeqa

Mos thirrja e seancave papërgjegjësi kushtetuese

Mos thirrja e seancave nga kryetarja e kuvendit, zonja Vjosa Osmani paraqet shkelje të rëndë të Kushtetutës. Mos kryerja e detyrave dhe obligimeve kushtetuese, është antiligjore dhe akt i pa precedent i parlamentarizmit.

Mos kryerja e obligimeve dhe detyrave kushtetuese të Kuvendit ka shkuar në mënyrë  zinxhirore filluar nga, kryetarja, kryesia e kuvendit, grupet parlamentare dhe deputetët e zgjedhur me votën e popullit.

Lufta e papërgjegjshme politike mes pozitës dh opozitës e ka sjell shtetin në krizë të thellë institucionale. Kësaj krize i ka ndihmuar edhe stërzgjatja e panevojshme e nxjerrjes së vendimit përfundimtar nga kushtetuesja.

Paradoksi qëndron në faktin se edhe përkundër defunksionalizimit të kësaj legjislature të Kuvendit, deputetët, kryesia dhe kryetarja e kuvendit pagat i marrin normalisht pa bërë asgjë!

Edhe pse për pasivitetin dhe mungesën e efikasitetit të legjislativit, pozita dhe opozita po e fajësojnë njëri tjetrin, këto akuza po bëhen vetëm për konsum partiak dhe përfundojnë me kaq, pa asnjë iniciativë për zhbllokimin e punës së Kuvendit.

Kuvendi legjitim nuk bën të sillet sikurse qeveria në detyrë

Nuk ka gjë që e arsyeton bllokimiin e punës së Kuvendit pas rrëzimit të Qeverisë Kurti, pra, as pandemia e “Covid-19”. Kur ishte në pyetje mocioni për shkarkimin e qeverisë u mbajt seanca, u shkelen të gjitha masat ligjore!

Shtrohet pyetja, pse të mos mbaheshin edhe seancat tjera në të njëjtat kushte!?

Përveq në vendin e paradokseve të quajtur Kosovë, nëpër të gjitha shtetet e rajonit dhe më gjërë Kuvendet kanë qenë funksionale dhe kanë nxjerrë vendime të rendësishme për shtetin dhe qytetarët.

Me pasivitetin e organit më të lartë ligjvënës në vend, pra të Kuvendit të Kosovës, kanë mbetur pa mbikëqyrje dhe pa kontroll të gjitha institucionet tjera që i përgjigjen legjislativit, pra edhe qeveria e shkarkuar.

Pra, çdo gjë në Kosovë bëhet dhe veprohet në situatë anarkike, pa asnjë lloj kontrolli nga organi më i lartë i shtetit, siq është Kuvendi!

Në këtë situatë paradoksale mund të parashtrohen shumë pyetje. Para së gjithash shtrohet pyetja fillestare, pse nuk ftohen seancat nga kryetarja e Kuvendit?

Pse nuk po diskutohet për asnjë projektligj? Pse nuk diskutohet gjendja shëndetësore në vend pas zvogëlimit të rasteve me “Covid-19”? Pse nuk diskutohen vendimet e Qeverisë në detyrë, e kanë apo se kanë miratimin e Kuvendit!?

Në të gjitha përgjigjet për këto pyetje e kemi heshtjen totale të kryetares së Kuvendit, zonjes Vjosa Osmani, përgjegjësen kryesore për defunksionalizimin e Kuvendit, jo vetëm pse nuk thërret seanca pune të Kuvendit të Republikës së Kosovës, por për më tepër për mos ushtrim të paanshëm të detyres së kryetares së parlamentit.

Vjosa Osmani me zgjedhjen e saj në postin e kryeparlamentares është dashur t’i lëjë menjanë inatet apo simpatitë partiake, të bashkëpunoj njëkohësisht me institucionin e presidentit dhe kryeministrit, gjegjësisht me Hashim Thaçin dhe Albin Kurtin si dy bartës të institucioneve shtetërore, e jo të mohoj njërin dhe tjetrin ta simpatizoj skajshmërisht.

Kjo çasje adoleshente e zonjes Vjosa Osmani i ka befasuar të gjithë në Kosovë, përfshirë edhe ndërkombëtarët, të cilët respektojnë institucionet shtetërore pavarësisht nominimeve aktuale.

Vendimi i kushtetueses të respektohet nga të gjithë

Pavarësisht faktit se cili do të jetë vendimi i kushtetueses, kjo gjendje “Status  Quo”-je e Kuvendit do të vazhdon derisa të bëhet publik vendimi i Gjykatës Kushtetuese, pro dekretit Thaçi për Qeverinë LAN apo kundër tij, gjëgjësisht zgjedhjes së qeverisë së re apo shpërbërjes së Kuvendit.

Në asnjë rrethanë dhe për asgjë puna e Kuvendit nuk do duhej të ndërlidhej me vendimin e Gjykatës Kushtetuese anipse ‘Qeveria Kurti’ është në detyrë apo e shkarkuar nga 2/3 e Kuvendit legjitim.

Prandaj Kuvendi legjitim do duhej të funksiononte normalisht dhe pa asnjë pengesë nga pandemia dhe as nga pandemiopolitika!

Kuvendi është legjitim dhe ka kompetenca ekzekutive deri tek nxjerrja eventuale e dekretit për shpërndarje nga Presidenti, në të kundërtën mos kryerja e detyrave është antikushtetuese dhe antiligjore.

Takimi i fundit i ambasadorëve të “Quintit” me presidentin Thaçi dhe të ambasadorit amerikan Philip Kosnett me kryeparlamentaren Osmani janë tregues se ndodhemi shumë afër vendimit final të kushtetueses, por në këtë situatë e kemi vetëm zotimin e njërës palë (LAN), por jo edhe të palës tjetër (LVV) për respektim të atij vendimi.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka vlerë nëse respektohet nga të gjithë, e në radhë të parë nga parashtruesi i kërkesës, në të kundërtën parashtuesi i kërkesës (LVV) e demaskon  veten si subjekt antikushtetues në këtë vend.