Kosova

Në Prishtinë, 260 raste aktive me koronavirus – të shtrira në 23 lagje

Sonte në Komunën e Prishtinës janë paraqitur edhe 41 raste të reja me koronavirus.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, tha se për dallim nga rastet e mëhershme rastet e reja manifestojnë simptoma të coronavirusit e disa prej tyre më të theksuara.

Gashi tha në Rtv Dukagjini se disa ditë më parë kishte persona të infektuar në institucione të ndryshme publike, e që, sipas tij, tashmë rastet janë zgjeruar në familjet e tyre e në disa raste edhe te kolegët e tyre të punës.

“Vlen të theksohet se nga fillimi i pandemisë në Komunën e Prishtinës kemi 336 raste të regjistruara me COVID-19, ndërsa 260 raste janë aktive të shtrira në 23 lagje të Prishtinës. Praktikisht në gjithë Prishtinën dhe në fshatrat Hajvali e Barilevë”, tha ai.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës thotë se nga data 20-31 mars ka pasur 85 raste ndërsa nga 1 qershori deri më tani janë 251 raste, përcjell Telegrafi.

“Është një rritje e shpejtë dhe një numër voluminoz për një kohë të shpejtë. Dhe kjo e bënë më shqetësuese situatën pasi kemi një numër të madh të rasteve në komunën tonë”, tha ndër të tjera Bujar Gashi.