Kosova

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, prindërit pro-et contra mësimit online

Nga arkiva

Viti 2020 nisi si vitet tjera, por më pas gjithçka u ndryshua, shkaku i  pandemisë COVID -19. Pasojat veç dihen. Shumë sektorë e pësuan keq, ndërsa edhe arsimi nuk shpëtoi lehtë – shkruan Kosova.info

Duke filluar nga çerdhet, niveli para fillor, fillor, para universitar dhe universitar, u mbyllën për një periudhë të pacaktuar, por u zgjat deri në përfundimin e vitit shkollor 2019/2020. Gjatë periudhës së pandemisë institucionet përkatëse u mobilizuan për fillimin e mësimit në distancë, për të mos i humbur të rinjtë ditët e tyre larg mësimit.

Tani që po afrohet viti i ri shkollor dhe virusi është në mesin tonë, Ministria e Arsimit e Kosovës ka përpiluar një udhëzues se si do të fillojë viti 2020/2021 për nxënësit kosovarë.

Hapat e planifikuar janë këta:

“Në skenarin A, është paraparë kthimi në shkolla apo mësimi me prezencë në institucionet parashkollore dhe shkolla, me masa parandaluese. Në skenarin B është parapare kthimi i pjesshëm në shkolla apo mësimi i kombinuar-prezencë në shkolla dhe E-mësimi. Në skenarin C është paraparë E-mësimi” – MASHT.

Infektologu kosovar Dr. Lul Raka në një postim në llogarinë e tij në Facebook lidhur me hapjen e shkollave dhe kthimin e nxënësve në bankat shkollore i ndanë argumentet pro dhe kundër hapjes së shkollave.

“Fëmijët e moshës 2-10 vjeç mësojnë shumëçka nga bashkëmoshatarët e tyre dhe kanë një ndikim pozitiv në zhvillimin e personalitetit të tyre dhe ndjenjën e identitetit, ndërsa ndërprerjet e marrëdhënieve të tilla të afërta shoqërohen me depresion, ndjenjë të fajësisë dhe zemërim te fëmijët.

Fëmijët me aftësi të kufizuara mund të preken veçanërisht pasi mund të ndjehen më të izoluar.

Fëmijët kanë rrezik më të madh të dhunës në familje gjatë mbylljes së shkollës.

Me mbylljen e shkollave, fëmijët nuk kanë më një rrjet të sigurisë që mund të zbulojë dhe raportojë abuzimin e fëmijëve.

Ndërsa disa nga argumentet kundër rikthimit të nxënësve në shkolla janë:

Numri i madh i rasteve në komunitet. Kosova nëse ka 200 raste në ditë, kjo përafërsisht është 12 raste në 100.000 banorë. Kjo shifër është e lartë!

Mungesa e testimit në komunitet.

Ndërsa lidhur me rikthimin në bankat shkollore Bordi Këshillëdhënës Anti – Covid19 ka dhënë disa rekomandime lidhur me këtë çështje:

“Parashkollorët dhe nxënësit deri në klasën e pestë të vijojnë mësimin në shkolla.

Në zonat rurale dhe atje ku ka kushte dhe hapësira, mund të organizohet mësimi edhe me vitet e tjera, gjithnjë duke respektuar masat e MSh dhe të IKSHPK.

Të hapen shkollat profesionale për mbajtjen e lëndëve profesionale dhe atyre praktike.”

Por çfarë mendojnë prindërit rreth mësimit online dhe sa ishte efektiv ai?

Mimoza Veliu, prind i dy vajzave nxënëse në shkollën fillore mendon se është koha për t’u rikthyer në shkollë, sepse pas pesë muajsh prej kur janë shënuar rastet e para në Kosovë tash situata është më e qetësuar.

“Pasi që fëmijët janë mosha më pak e prekur nga virusi është mirë që nxënësit të kthehen në shkolla dhe normalisht me kujdes dhe masa nga Instituti i shëndetësisë.”

E pyetur rreth mësimit online, Mimoza shprehet se megjithatë ka rezultuar si metodë efektive në rrethana të tilla, meqë nuk i ka lejuar fëmijët të mbesin mbrapa me mësime. Por që mësimi në shkolla është metoda me e mirë për nxënësit sepse efektiviteti në relacionin mësues – nxënës është me produktiv.

“Sa i përket skenarëve të publikuar nga MASHT, unë mendoj që është vendim i saktë që fëmijët e klasave të para, gjashtë dhe të dhjeta, të rikthehen sepse janë moshat me të ndjeshme dhe me të rëndësishme për zhvillimin dhe avanësimin e tyre ne të ardhmen” – përfundon Mimoza.

Arian Krasniqi, fëmiu i të cilit ka për të filluar në shtator klasën e parë ndjehet shumë shqetësues për situatën reale në vend.

“Ky vit është sfidues posaçërisht për fëmijët e klasës së parë sepse marrin hapin e parë për mësim nxënie.”

“Nuk mendoj që mësimi online ishte efektiv duke parë për se afërmi pasi që të dy prindërit janë mësues të ciklit të ulët fillor. Shqetësimet nga ana e nxënësve që kanë probleme në mësim-nxënie kanë qenë të larta dhe të përditshme. Kjo metodë tash është parë si e dështuar dhe si e tillë nuk duhet të bëhet sërish” – shtoj Ariani.

“Duke pasur në konsideratë shëndetin e fëmijëve tanë, institucionet përkatëse duhet dhënë kontributin human dhe financiar për kujdesin dhe këshillimin e gjeneratave të reja që të rikthehen në klasa duke bërë reduktimin e numrit të nxënësve, dezinfektimin e rregullt të objekteve shkollore dhe të sigurohen masat tjera mbrojtëse të rekomanduara nga organizata kredibilë e shëndetësisë” – përfundoj Ariani./A.Rr/Kosova.info/